Në një vend ku për dekada paraja fizike ka dominuar ekonominë, Shqipëria po përballet me sfidën e madhe të reduktimit të Cash-it. Më shumë se 95% e transaksioneve kryhen ende me para në dorë, veçanërisht në tregtinë e vogël dhe shërbimet e përditshme. Shoqata e Bankave e sheh këtë si një barrë që pengon formalizimin, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik.
“Cash-i është një sëmundje për ekonominë, sepse nuk e lejon të shfaqet ashtu siç është në të vërtetë. Është një mjet për evazion, për informalitet dhe deformon konkurrencën. Është thelbësore të reduktohet sa më shumë. Përdorimi i pagesave dixhitale nuk është vetëm lehtësi, por mënyrë për të kuptuar vendin tonë si individë në shoqëri”, thotë Spiro Brumbulli, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Edhe pse ka përparime, sfidat janë të mëdha, sidomos me bizneset e vogla që vijojnë të punojnë thuajse vetëm me Cash. Shqipëria mbetet pa një tavan të detyruar për pagesat me para fizike për individët.
“Ndryshe nga vendet e rajonit si Greqia dhe Maqedonia që e kanë kufirin e Cash-it deri në 500 euro, ne e kemi vetëm për biznesin e madh. Ndërkohë, nga bizneset kërkohet të ofrojnë një alternativë pagese përveç Cash-it. Me SEPA-n në tetor dhe pagesat instant që vijnë më pas, kemi një hap kolosal përpara. Duhet ndërgjegjësim, internet dhe vullnet politik. Nëse angazhohen të gjithë, mund të shkojmë nga 90 në 60% përdorim Cash, një ndryshim i madh për mentalitetin tonë”, shton Brumbulli.
Zvogëlimi i parasë fizike është një domosdoshmëri për një ekonomi më transparente, më të sigurt dhe më të zhvilluar. Por ky tranzicion kërkon kohë, edukim dhe vendosmëri.