Ballina Politika “Do ngjis kangjellat e burgut” A po paralajmëron Ilir Meta daljen nga...

“Do ngjis kangjellat e burgut” A po paralajmëron Ilir Meta daljen nga qelia?

27
0

Një verë e pazakontë për Ilir Metën. Jo në Alpet shqiptare, jo në majat që ai i ka eksploruar me pasion, por në një qeli 12 metra katrorë, që për të është kthyer në palestër, bibliotekë, ekspozitë, vend meditimi, edhe në një arenë për të denoncuar qeverinë. Emisioni “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, i ka dërguar disa pyetje dhe ka marrë prej tij menjëherë përgjigjet ku nuk ankohet për veten, por për të gjithë të paraburgosurit që sipas tij janë viktimë e një sistemi që i harron me vite nën hetim, pa gjykim.

– Z. Meta, kjo është një verë krejt atipike për ju, pasi në çdo periudhë tjetër të ngjashme keni qenë aktiv në terren dhe duke eksploruar Shqipërinë. Si e kalon tani një ditë të zakonshme ish-Presidenti i Republikës brenda mureve të qelisë? Si ka qenë gjendja shëndetësore?

– Andrea, ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe kujdesin, ndaj po e nis me përgjigjen për shëndetin. Asnjëherë më mirë nuk kam qenë me shëndet dhe në formë fizike. I vetmi ‘’problem’’ është se tensioni gjithmonë është 7–11, si në kulmin e dimrit, por edhe të verës. Këto 12 m2 janë edhe palestër edhe bibliotekë edhe studio edhe kuzhinë, pra zakonisht unë në këtë periudhë kam qenë në zonat më malore të vendit duke i eksploruar dhe  promovuar ato. Por nuk më mungojnë as këtu. Qelia, harrova të them se, është edhe ekspozitë me fotot e mia në majën e Jezercës, në Dobërdol, Korab, Theth, Shalë, Prevallë, Majën e Çikës, etj. Ndërkohë, stërvitem çdo ditë për të ngjitur Majën e Hekurave sa më parë.

– Herë pas here, ju dhe avokatët tuaj keni akuzuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për keqtrajtim, si në aspektin e kushteve të qelisë ashtu edhe të zbatimit të rregullores. Si është realisht situata në ambientin ku po jetoni aktualisht?

– Ne akuzojmë Edi Ramën, pasi ai “si ma nalt” urdhëron këta poshtë vetes për të bërë veprime krejt të papërgjegjshme dhe të paligjshme për të më pamundësuar deri edhe komunikimin e ligjshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, numri i të cilit nuk ‘’punon’’ më prej 40 ditësh edhe pse është i regjistruar zyrtarisht. Nuk dua të përmend shumë detaje të tjera të cilat janë bërë publike, por u bë tre javë që ende nuk i japin avokatit tim vendimin e dytë të dënimit nga Komisioni Disiplinor edhe pse ai ua ka kërkuar zyrtarisht.

–  Çfarë e konsideroni si absurditet të përgjithshëm që vuajnë sot të gjithë të paraburgosurit apo të burgosurit në Shqipëri dhe çfarë është ai absurd specifik dhe i qëllimshëm që sipas jush zbatohet vetëm ndaj Ilir Metës për shkak të asaj që ju e konsideroni hakmarrje politike?

– Absurditet i përgjithshëm është se gati 70% e popullsisë në burgje janë të paraburgosur, shifër gati 2-3 herë më e lartë se në vendet e Bashkimit Europian dhe rajonit. Po kështu, shumica ‘’harrohen’’ të hetohen dhe periudha e paraburgimit shkon me vite, krejt në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Para pak ditësh këtu humbi jetën një qytetar i cili kishte probleme të rënda shëndetësore e nuk duhej të mbahej këtu, por në spital apo familje që dikush të kujdesej. Raste të tilla ka plot, por lajmi bëhet vetëm kur ndodh “dënimi” me vdekje. Qëndrimi ndaj meje pastaj është i qartë për të realizuar një izolim total social, që nga pamundësia për të marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta sportive apo shoqërore e deri te ndalimi i komunikimit me deputetët e Partisë së Lirisë dhe drejtuesit e saj, apo me gazetarët.

– Ju vazhdimisht e keni cilësuar arrestimin tuaj si një ‘’komplot politik’’ me regji nga Kryeministri Rama dhe SPAK-u. Teksa kanë kaluar disa muaj, a keni zbuluar prova të reja konkrete për të bindur opinionin publik se ju po ndëshkoheni padrejtësisht?

– Rrëmbimi im është urdhëruar publikisht nga Edi Rama nga tribuna e Partisë Socialiste dhe kjo është e provuar. Unë besoj se publiku është i qartë se kjo është vetëm një pengmarrje politike kriminale pavarësisht se njerëzit bëjnë nga frika edhe sikur nuk kuptojnë. Përpiqen t’i japin një frikë edhe gjyqtarëve e prokurorëve. Te gjithë këtu paguajnë 90 mijë euro në ditë për inceneratorin që nuk ekziston, apo jo? Por ai që i dha bonusin kompanisë fituese ende pa u krijuar, as që është marrë në pyetje dhe jo të dënohet. Jo vetëm kaq, por Z. Dumani e quan këtë aferë krim intelektual, pra që vetëm ai nuk e kupton. Tmerri i regjimit nga komunikimi im me mediat është prova më e mirë se nuk ka asnjë provë kundër meje.

– Nga qelia e burgut ju po deklaroni se jeni viktimë e një regjimi politik. Përse duhet t’ju besojnë shqiptarët se ju jeni i pafajshëm dhe jo thjesht një politikan tjetër që po përballet me drejtësinë për veprime konkrete?

– Sepse vetë shqiptarët e ndershëm janë çdo ditë viktimë e intimidimit dhe arbitraritetit nga ky pushtet që shkel të drejtat e tyre çdo ditë. Mbi 150 mijë dosje pritet të gjykohen dhe koha e gjykimit të një çështje është trefishuar në raport me 10 vite më parë. Po këtu, unë nuk i jam shmangur përballjes me drejtësinë dhe as me padrejtësinë në rastin konkret! Por shqiptarët i kanë parë pamjet e rrëmbimit tim banditesk. Ato flasin edhe për vetë standardet e hetimit, por edhe të paraburgimit. Unë u rrëmbeva që të rrëmbeheshin zgjedhjet përmes bandave dhe mosveprimit të drejtësisë ndaj tyre. Pastaj për të folur për Policinë e Shtetit se çfarë përfaqëson, mjafton të përmend pafytyrësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, që i kthen përgjigje me shkrim Tedi Bushit, si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, se banditët me maska që më rrëmbyen mua kishin vepruar sipas ligjit. Për t’ua thjeshtuar juve dhe teleshikuesve tuaj, po bëj edhe unë një pyetje. Përse duhet të çohesha unë te Drejtoria e Policisë në Tiranë dhe të prisja dy orë bashkë me avokatin tim, Z.Gjokutaj që u lajmërua vetëm nga mediat dhe vetëm pasi erdhën oficerët e policisë gjyqësore e BKH që sollën urdhër-ndalimin, u dërgova në Bllokun e Sigurisë? Sepse mua nuk më ishte paraqitur një urdhër-ndalimi nga banditët me maska të kryebanditit Ilir Proda që vazhdon të jetë kryepolic vetëm për shkak të lidhjeve të tilla të paligjshme e kriminale, si rrëmbimi im. Ndaj policët e këtij kryebanditi u nxjerrin kallashnikovin banorëve të Thethit në vend që t’u çojnë letrat zyrtare për prishjen e objekteve të ndërtuara me kursimet e një jete.

– Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një politikë të re lidhur me qasjen e tyre ndaj drejtësisë dhe proceseve zgjedhore të  vendeve partnere, përfshirë edhe Shqipërinë. A e konsideroni këtë zhvillim lajm pozitiv apo shqetësues për ju personalisht dhe politikisht?

– Unë personalisht nuk kam asnjë shqetësim  as me Shtetet e Bashkuara dhe as nga Shtetet e Bashkuara. Në Departamentin e Shtetit janë të gjitha letrat e mia zyrtare drejtuar Ambasadorëve të SHBA dhe Sekretarëve të Shtetit, që nga Z. Tillerson në janar të 2017 për të gjitha veprimet që në shkelje  të Kushtetutës dhe ligjit për Reformën po bëheshin per kapjen  e Reformës në Drejtësi nga Edi Rama. Ndërhyrjet e diplomatëve amerikanë për llogari të Sorosit ishin vendimtare për kapjen e Reformës në Drejtësi nga Edi Rama. Po Kështu  në këtë proces ai përfshiu edhe agjentin e lartë të FBI., Charles McGonigal, i cili po vuan një dënim shumë  të lehtë për krime shumë të rënda  kundër SH.B.A por edhe vendit tonë. Unë besoj se problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë, në radhë të parë sepse ky është vendi ynë dhe askujt  nuk ka pse i dhimbset më shumë se vetë shqiptarëve.

– Pak ditë më parë u shënua 9-vjetori i miratimit të Reformës në Drejtësi. Nëse do të ktheheshit pas, në verën e vitit 2016, çfarë do të bënit [ ku ju keni luajtur një rol të rëndësishëm?

– Përpara 10-vjetorit të Reformës në Drejtësi është detyrimi im të publikoj një libër me fakte dhe reflektime nga Reforma me 140 vota që u kthye në Ramaformë me 69 vota.

– Gjatë kësaj periudhe në burg, a keni marrë mesazhe apo kontakte nga diplomatë ndërkombëtarë, përfshirë ata amerikanë dhe europianë? Nëse po, çfarë ju kanë komunikuar?

– Padyshim që kam marrë mesazhe edhe pse  një nga arsyet  e izolimit tim ekstrem është edhe  pamundësimi i komunikimeve edhe me ndërkombëtarët e ndershëm dhe me integritetit. Nuk dua të flas për këto komunikime, por besoj se do ju mjaftonte prononcimi tre herë publik për rrëmbimin tim të ish– Kryeministrit Renzi, i cili nuk ka pasur ndonjë njohje të veçantë me mua.

– Në shtator nis sesioni i ri parlamentar dhe tashmë janë të qarta pozicionet politike: kush përbën mazhorancën dhe kush opozitën. Çfarë këshille specifike u keni dhënë deputetëve tuaj, sidomos tani kur aleatët tuaj opozitarë duken më tepër në krizë të brendshme sesa në ofensivë politike?

– Shqiptar, mos rri, po duku, shqiptar!

Aktualizimi i kësaj thirrje është për mua deçizive.

Opozitar, mos rri po duku, opozitar!

Vetëm qëndresa e përditshme dhe pa kompromis do e rrëzojë këtë ngrehinë të kalbur përpara se të dëbohen edhe shqiptarët e mbetur. Përveç denoncimit të farsës zgjedhore, të gjitha partitë opozitare duhet të bëhen bashkë për hapjen e listave si rruga e vetme për të forcuar interesin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve te demokracia.

Por edhe për të rritur besimin e tyre te opozita.

– Në kushtet kur po afrojnë zgjedhje të parakohshme lokale në Tiranë, cili do të jetë pozicioni politik i Partisë së Lirisë në këtë garë dhe si do të veproni konkretisht në mbështetje apo kundërshti me kandidatët e mundshëm?

– Qëndrimi i Partisë së Lirisë do të jetë i konsultuar me PD dhe forcat e vërteta opozitare.

– A keni komunikuar së fundmi me Z? Berisha? Cilat janë konkretisht pikat ku jeni dakordësuar dhe cilat janë ato për të cilat ende nuk gjeni dakordësi?

– Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Z. Berisha.

– Në këtë periudhë izolimi prej disa muajsh, çfarë keni zbuluar për veten tuaj që nuk e dinit më parë, kur ishit i lirë dhe në pushtet?

– Kjo është përvojë shumë e vlefshme  për mua dhe të ardhmen time. Duke qenë se kurrë nuk kam jetuar në konvikt, kam mësuar shumë gjëra të reja. Po kështu është një trajnim i shkëlqyer për kalitjen e durimit dhe vetëbesimit.

– Avokati juaj, z. Cakrani, është shprehur optimist se brenda gushtit mund të jeni i lirë. Cila do të ishte gjëja e parë që do të bënit sapo të dilnit nga burgu?

– Unë çdo ditë jam i lirë dhe ndihem i tillë sepse liria, siç thoshte Musine Kokalari, është së pari e brendshme. Për fat, në rastin tim edhe emri që më kanë vendosur prindërit përkon me karakterin tim dhe origjinën time. Ndërsa avokatin tim z. Cakrani e falënderoj jo vetëm për mbrojtjen e tij të paepur por edhe për librin që më solli dje atë të Hajredin Cakranit, njërit prej firmëtarëve të Pavarsisë. Dardha nën dardhë bie themi nga anët tona.