Shërbimi i Posaçëm Antikorrupsion në Shqipëri ka arrestuar në Tiranë bosin e drogës nga Antwerpeni, Ermir Ndreaj (44), i njohur me nofkën Cinco, gjatë një operacioni kundër mafies shqiptare të kokainës.
Ermir Ndreaj, një shqiptar me banim në Antwerp, u arrestua bashkë me tre të dyshuar të tjerë nën akuzën për drejtimin e një organizate të strukturuar kriminale, e cila ka importuar dhe shpërndarë sasi të mëdha kokainë nëpër Evropë. Sipas prokurorëve të posaçëm të SPAK-ut, organizata e udhëhequr nga Ndreaj ka importuar të paktën gjashtë tonë kokainë nga Amerika Latine në vitin 2020, e më pas e ka shpërndarë në gjithë kontinentin.
Organizata e Cinco ishte aktive në Kolumbi, Ekuador dhe Panama, si dhe kishte kontakte të forta në Antwerpen dhe Roterdam për të futur në mënyrë të fshehtë ngarkesat e mëdha të drogës. Rrjeti shqiptar vepronte gjithashtu edhe në portet e Francës, Italisë, Spanjës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë operacionit u sekuestruan para cash, armë, orë luksoze të markave Rolex dhe Richard Mille, si dhe makina të shtrenjta. Hetuesit shqiptarë sekuestruan gjithashtu edhe një jaht luksoz të sapo blerë.
Figurë e rëndësishme në botën e drogës
Ermir Ndreaj, i njohur si Cinco, ka qenë për shumë vite një nga figurat kyçe të botës së drogës në Antwerp. Emri i tij është përmendur prej më shumë se dhjetë vitesh në pothuajse të gjitha hetimet e mëdha të drogës, siç janë dosja Makreel apo dosja e Klanit Y. Emri i tij përmendet krahas kriminelëve të njohur si Frank De Tank dhe ‘Dikke Nordin’ El H. Në një nga këto çështje, Ndreaj u dënua kohët e fundit me gjashtë vite burg. Në një tjetër çështje edhe më të freskët, ai u dënua me shtatë vite burg për importimin e kokainës.
Qendër estetike në Bruksel
Ndreaj dhe partnerja e tij Elira, një shqiptare që kishte studiuar drejtësi në Belgjikë, për një kohë të gjatë kishin një zyrë në Britselei, ku ishte e regjistruar edhe kompania e tyre Cinque, përmes së cilës ata menaxhonin një qendër estetike në lagjen e teatrit. Kjo kompani është shpallur ndërkohë e falimentuar.
Ndreaj u largua nga Antwerp kur e kuptoi se ishte bërë shumë i ekspozuar. Ai u vendos në kryeqytetin shqiptar Tiranë, një qytet që po përjeton një “boom” zhvillimi – pjesërisht për shkak të miliona eurove që kriminelët e drogës po investojnë në pasuri të paluajtshme.
Cinco vazhdoi aktivitetin e tij duke hapur një diskotekë gjigande Cinco Cavalli në Durrës, qytet bregdetar pranë Tiranës. Në lagjen elitare Deliorgji në Tiranë, ai hapi restorantin luksoz Savoy Garden, i frekuentuar nga pjesëtarët e elitës shqiptare. Në të njëjtën zonë, Cinco dhe bashkëshortja e tij Elira menaxhojnë gjithashtu qendrën estetike të njohur “Clinique Cinque”.
Drejtësia belge
Ermir Ndreaj ishte prej kohësh i paarritshëm për policinë dhe drejtësinë belge, pasi Shqipëria nuk ekstradon shtetasit e saj. Por tashmë që edhe autoritetet shqiptare kanë nisur veprime kundër tij, shanset rriten që ai të përballet me drejtësinë edhe në Belgjikë. Dhe kjo përballje nuk do të kufizohet vetëm në 13 vitet e burgut që ka të pashlyera në këtë vend.
Cinco duhet të dalë gjithashtu në shtator përpara gjykatës në Dendermonde, ku ndjekja penale federale belge e ndjek për një tjetër çështje të madhe droge, ku janë të përfshirë edhe kriminelë të njohur si Ali Al Murdaa dhe Yassin M./ Përktheu Alfapress.al