Policia ka zbardhur detaje të reja në lidhje me zjarrin që përfshiu një banesë në lagjen nr. 1 të qytetit, ku humbi jetën 52-vjeçarja Kozeta Teço. Nga hetimet paraprake të grupit të posaçëm hetimor, të ngritur nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë, dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht nga një person.
Burime zyrtare bëjnë me dije se janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, përfshirë ekspertiza në vendin e ngjarjes dhe eksperiment hetimor, për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes së viktimës dhe rrethanat e zjarrvënies.
Bazuar në provat e mbledhura, policia ka shoqëruar disa shtetas, përfshirë dhe autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili po merret në pyetje. Më herët, burime jozyrtare bënin me dije se ky person mund të ketë pasur një lidhje të afërt me viktimën.
Hetimet vijojnë intensivisht dhe autoritetet kanë bërë të ditur se në përfundim të veprimeve do të japin një informacion të plotë mbi ngjarjen.
Policia ka sekuestruar gjithashtu kamerat e sigurisë të zonës përreth dhe po verifikon çdo pistë të mundshme, duke përfshirë atë të motiveve personale dhe pronësore.