Bizneset shqiptare po përballen me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, ndërsa në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Punësimit janë shpallur mbi 5500 vende të lira pune.
Në këtë sezon veror, kërkesat janë përqendruar kryesisht në sektorin e hotelerisë, bareve dhe restoranteve, veçanërisht në zonat bregdetare. Por nuk mungojnë as ofertat për punë në industrinë përpunuese, ndërtim dhe teknologji informacioni, me pozicione të shumta në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.
Gjatë vitit të kaluar, përmes ndërmjetësimit të kësaj agjencie janë punësuar rreth 25 mijë persona, nga afro 70 mijë të regjistruar si punëkërkues, duke reflektuar një mospërputhje të ndjeshme mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës. Shkak për këtë, sipas ekspertëve, janë pagat e ulëta dhe kushtet e punës që ofrohen, të cilat shpesh nuk i përmbushin pritshmëritë e kandidatëve.
Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë ka bërë një thirrje publike për regjistrim në portalin e punësimit, duke ftuar edhe emigrantët shqiptarë që të kthehen dhe të krijojnë mundësi të reja në vend.