Kryeministri Edi Rama ndodhet në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes ku po zhvillohet prezantimi i një start up-i të rinjsh shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal në problematikat me të cilat përballet sot realiteti, ku mes të cilave përmendi besueshmërinë në zbatueshmërinë e plotë të projekteve, ashtu siç e ka parashikuar arkitekti.
Kreu i qeverisë ka paralajmëruar gjithashtu arkitektët se do të mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit.
“Projektet me arkitektë të huaj kanë ngjallur një interes të shtuar që tani ka nisur të shtrihet edhe në fushën e investitorëve. Nuk është më një interes i investitorëve. Nga ana tjetër është besueshmëria e vetë projektit për t’u realizuar ashtu siç arkitekti e ka paraparë, jo që të merret leja me projektin dhe ne fund të përfundojë që as arkitekti nuk e njeh. Ky është një problem që e kemi sot të shtruar në tryezë. Si do të arrijmë që projektet ti realizojmë besnikërisht. Bëhet ajo punë bashkë me investitorët dhe ndërtuesit, bëhet ajo punë për ti filtruar dhe për t’i kaluar në procesin e aprovimit, i jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur. Ndryshojnë edhe volume, këtu është detyra jonë ta adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që do përfshijnë arkitektin si personin garant, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Kjo nuk është çështje masash ligjore, por vetëdije nga ana e investuesve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë”, tha ai.