Ballina Kuriozitete Shkencëtarët zbulojnë fosilin e një dinosauri që mund të ketë cicëruar si...

Shkencëtarët zbulojnë fosilin e një dinosauri që mund të ketë cicëruar si zog

17
0

Shkencëtarët kanë zbuluar një fosil dinosauri në Kinë që mund të ketë bërë tinguj të ngjashëm me cicërimat e zogjve, gjë që mund të nënkuptojë se rrënjët e këngës së zogjve janë shumë më të vjetra nga sa mendohej më parë.

Në një punim të botuar në revistën PeerJ, një ekip ndërkombëtar paleontologësh përshkruan një fosil 163 milionë vjeçar të gjetur në provincën Hebei të Kinës.

Dinosauri, të cilin e quajtën Pulaosaurus qinglong, ishte vetëm 72 centimetra i gjatë dhe fosili është ruajtur pothuajse plotësisht, duke u dhënë studiuesve një vështrim tepër të detajuar në anatominë e tij – duke përfshirë një fyt që çuditërisht i ngjan atij të një zogu.

“Edhe kur keni një skelet dinosauri të ruajtur mirë, kockat individuale të shoqëruara me kafkën rrallë ruhen”, tha paleontologu Xing Xu i Akademisë Kineze të Shkencave në Pekin për New York Times.

“Këto kocka janë shumë të holla, të ndjeshme dhe të vështira për t’u ruajtur.”

Tek vertebrorët, organet vokale mbrojnë rrugët e frymëmarrjes dhe prodhojnë tinguj – nga fishkëllimat dhe rënkimet deri te një sërë vokalizimesh të tjera.

Tek shumica e zvarranikëve modernë, këto organe janë të thjeshta dhe të përbëra nga kërc.

Nga ana tjetër, zogjtë kanë struktura të ndjeshme, kockore dhe fleksibile që lejojnë një larmi të gjerë tingujsh.

Fyti i Pulaosaurusit duket të jetë një pikë kalimtare midis këtyre dy botëve.

Kjo ngre mundësinë që rrënjët e këngës së zogjve të shkojnë më shumë se 230 milionë vjet më parë.