Ballina Aktualitet Spahiu: Jo gazetarët, por politikanët që sulmojnë gjykatat duhet të dënohen nga...

Spahiu: Jo gazetarët, por politikanët që sulmojnë gjykatat duhet të dënohen nga Kodi Penal

0
17

Kreshnik Spahiu e cilësoi të gabuar dhe të pavend ndryshimin që ka të bëjë me ndëshkimin e medias nga Kodi Penal që po diskutohet.

Ai u shpreh se duhet të dënohen politikanët që sulmojnë drejtësinë dhe i bëjnë asaj presion dhe jo mediat që thjesht realizojnë detyrën e tyre të informacionit. Për juristin ky ndryshim është një paradoks dhe nuk duhet të bëhet, pasi prek fjalën e lirë.

“Ka edhe disa momente të tjera aty që janë shumë të diskutueshme, si ato ku Shqipëria duhet të hidhte hapat e saj për garancinë që jep për pavarësinë e medias. Si publikimi i sekreteve të hetimit apo gjykimit të nxjerë në bandën e të akuzuarve gazetarët, ndërkohë që nuk ka asnjë të dënuar nga ata që i nxjerrin ato. Pra nuk përmendet shkak-pasoja, sepse gazetarët vetëm i nxjerrin ato, por jo ata që ua japin”, tha Spahiu.

 

Juristi argumentoi se ndëshkimi i gazetarëve është i gabuar, pasi presionin mbi drejtësinë e bën politika dhe kjo e fundit e kërcënon pavarësinë e gjykatave dhe prokurorisë.

“Unë mendoj se nuk është gjyqësori i rrezikuar nga gazetaria, por nga politika. Ne duhet t’i mbyllim derën politikanëve dhe pushtetarëve që duan t’i mbyllin derën dhe gojën gazetarvëe dhe mediave. Ndëshkimi i gazetarëve është tërësisht i gabuar”, shtoi ai.

 

Në lidhje me kundërshtimet që kreu i PD-së i bëri sot ndryshimeve në Kodin penal, ku akuzoi qeverinë “Rama” për qëllime të caktuara, Spahiu u shpreh se opozita në vend të sulmojë çdo nismë të qeverisë, duhet të dalë me alternativat dhe propozimet e saj në Parlament.

“Opozita duhet të shkojë vetë me projektin e ndryshimeve e kundërshtimeve për Kodin Penal në Parlament. Asgjë nuk e pengon opozitën me numrin e deputetëve që ka, për të propozuar një draft alternativ. Do ishte i mirëpritur një projekt apo plan i dytë nga opozita dhe të diskutohet, që të mos përsëriten gabimet. Ndonjëherë duket se opozita çdo gjë që propozon qeveria e nxin dhe nuk jep alternativa apo propozime e alternativa të tjera. Duhet të propozojë një alternativë të dytë”, u shpreh juristi.