Pak ditë më parë, SPAK kreu një operacion për arrestimin e disa personave të përfshirë në një grup kriminal të trafikut të drogës.
Aksioni me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (më 25 Korrik) u bë pas dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Erjon Alibej, i arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”.
Në pranga ranë disa persona, mes tyre 54-vjeçari Ilir Lloshi. Ky i fundit u mbajt nën arrest derisa u zbulua se ishte vendosur në pranga personi i gabuar, për shkak të përputhjes së gjeneraliteteve dhe vendbanimit me të dyshuarin.
54-vjeçari nga Elbasani mësohet se mbante të njëjtin emër me të shumëkërkuarin e drejtësisë Ilir Lloshi.
I prangosuri, sipas burimeve, gjithashtu jetonte në të njëjtën lagje me të akuzuarin nga drejtësia si pjesë e grupit kriminal.
Ilir Lloshi, i arrestuar gabimisht, u lirua ditën e djeshme (27 Korrik) me vendim të GJKKO-së dhe është rikthyer në banesën e tij ku kujdesej për motrën e sëmurë.
Në seancën e së dielës në Gjykatën e Posaçme, 54-vjeçari deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me çështjen në fjalë, teksa theksuar se “s’kam lidhje me këto punë, unë nuk kam dalë asnjëherë jashtë shtetit”.
Ballafaqimi me bashkëpunëtorin e drejtësisë Erion Alibej, si dhe verifikimi i fotove, konfirmoi se nuk bëhej fjalë për të njëjtin person që dyshohet si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.