Ballina Politika Andia Ulliri kërkon mandatin/ KQZ shpërndan mandatet në Durrës, deputetja demokrate ankimon...

Andia Ulliri kërkon mandatin/ KQZ shpërndan mandatet në Durrës, deputetja demokrate ankimon vendimin

0
36

Deputetja demokrate Andia Ulliri ka ankimuar në KAS vendimin e KQZ ppër certifikimin e mandateve në qarkun e Durrësit nga zgjedhjet e 11 majit. Me pretendimin se nuk është plotësuar kuota gjinore, ajo kërkon të ruajë vendin e saj në parlament.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit e lanë deputeten demokrate Andia Ulliri jashtë parlamentit duke dalë e treta në listën e hapur. Por kjo nuk e ka ndaluar që të kërkojë vendin e saj në parlament, duke ankimuar ndarjen e mandateve në qarkun e Durrësit me pretendimin se nuk është plotësuar kuota gjinore. Vetëm një ditë pasi kryekomisioneri Ilirian Celibashi certifikoi fituesit që do të bëhen pjesë e Kuvendit në shtator, Ulliri dërgoi shkresën ku kërkon shqyrtimin nga trupa e komisionit të ankimeve dhe sanksioneve.

Në dokument, Ulliri shprehet se në Durrës nuk është plotësuar kuota gjinore e kërkuar në Kodin Zgjedhor, e cila parashikon që në çdo listë dy deputetë duhet të jenë meshkuj dhe një femër. Sipas shkresës theksohet se në listat e PD në qarkun bregdetar, janë 5 deputetë meshkuj dhe vetëm një femër, duke pretenduar se mandati i fituesit të vetëm në listën e hapur, të marrë nga Arjan Ndoja, duhet t’i kalojë asaj.

Më herët kryekomisioneri Ilirian Celibashi shpjegoi se listat e mbyllura dhe të hapura cilësohen si të ndara ndaj edhe kuota gjinore konsiderohet e plotësuar duke u nisur nga fakti se ka vetëm një fitues nga kandidatët preferencialë. Tashmë përgjigjen do ta japë trupa me pesë anëtarë e KAS. Në qarkun e Durrësit, Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore fitoi 6 mandate, ndërsa PS arriti të rrëmbejë 8 mandate.