Autoriteti i Pavarur për të Ardhurat Publike (AADE) ka bërë me dije se Stacioni i Kontrollit Doganor Mavromati në kufirin greko-shqiptar do të funksionojë me orar të zgjatur shërbimi nga 4 gushti deri më 30 shtator.
Sipas njoftimit të AADE, sqarohet se stacioni do të qëndrojë i hapur çdo ditë nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 11 të mbrëmjes për të lehtësuar kalimin e kamionëve dhe linjave të rregullta të autobusëve.
Përveç orarit të zgjatur të funksionimit të stacionit të Mavromatit, kalimet mund të lehtësohen edhe përmes Stacionit Doganor të Kakavijës.
Ky vendim vjen pas arrestimit të 14 doganierëve grekë, mes të cilëve edhe shefi i tyre, në fillim të muajit korrik.
Doganierët grekë u arrestuan me akuzën e grupit të strukturuar kriminal, për ryshfet pasiv në bashkëpunim. Dosja e çështjes përbëhet nga mbi 2,000 faqe dhe përfshin materiale video dhe fotografike, së bashku me biseda të regjistruara të të akuzuarve mes tyre dhe me persona të tjerë.
Në njoftimin e Policisë thuhej se u shkatërrua një grup kriminal i përbërë nga punonjës të Autoritetit Doganor, të cilët merrnin përfitime të padrejta financiare për moskryerjen e kontrolleve.
Kjo bëri që vetëm dy punonjës ta mbanin stacionin në funksionim ditët e mëparshme, duke rezultuar në vonesa të mëdha dhe radhë të gjata në pikën kufitare.