Nga Irena Beqiraj
Nëse do të përkufizoja në një frazë përmbledhjen e lajmeve që kam lexuar gjatë muajt Korrik, duke filluar që nga shkarkimet e në grup të drejtorëve të bashkisë, kalimi i lejeve të ndërtimit mbi 6 kate tek Kryeministri, firmosja e kontratave të jashtëligjshme nga frika e Erion Velisë , e deri tek shkarkimi i një oficeri policie nga Kryeministri, fraza do të ishte vetëm një “ Përqëndrim i paprecedentë I fuqisë ose pushtetit “.
Ndërsa korrupsioni individual është i pranishëm në të gjitha shoqëritë, korrupsioni sistemik instalohet në shoqëri ku përmbushen dy kushte:
1) Ka përqendrim të lartë të pushtetit apo fuqisë tek një njeri apo një grup i vogël individësh të cilët vendosen në pozita për të adaptuar rregullat sipas interesave të tyre dhe për t’u vendosur mbi ligjin; edhe
2) Kur ky përqëndrim fuqie në kulturën shoqërore pranohet si një situatë normale dhe e tolerueshme.
Fatkeqësisht zyrat e shtetit po “popullohen” nga drejtues dhe punonjës të pafuqishëm të cilët e konsiderojnë normale dhe të pranueshme që pushteti të shpërndahet në mënyrë të pabarabartë dhe si I tillë, një më i fuqishëm mund të vendosë edhe për cështje që janë tërësisht në diskrecion edhe përgjegjësi të tyre.
Përshembull, Kryetari I bashkisë së Vlorës pranon që Kryeminstri në sy të mexhelisit te kërkojë dorëheqjen e gjithë drejtorëve me të cilët ai punon edhe pse sipas ligjit vlerësimi i punës së tyre është kompetencë vëtëm e tij.
Drejtoresha e TOB, firmos një kontratë edhe pse e di që është e jashtëligjshme sepse këtë e kërkon gruaja e një njeriu të pushtetshëm. E njëjta gjë ndodh në bashkinë e Fierit.
Dukshëm vendimarrjet kanë qënë edhe po vazhdojë te përqëndrohen në duart e një njeriu dhe një grupi të ngushtë rreth tij, dhe gjithë të tjerët pa përjashtim janë aty për të ekzektuar urdhrat pa asnjë rezistencë dhe për të tundur derën.
Distanca e krijuar me fuqinë apo pushtetit që çdo zyrtar duhet të ushtrojë sipas pozicionit edhe ligjit , fuqizon pushtetin shtetëror të përqëndruar në pak duar, duke rritur stimujt e individëve të tjerë për t’u angazhuar në korrupsion proaktiv ose mbrojtës.
Ndërkohë instalimi I kësaj kulture ezemplare të bindjes ndaj fuqisë e jo ndaj ligjit, është një nga pengesat më të mëdha për ndryshim. Ajo jo vetëm po përforcon sjellje te caktuara të anëtarëve të shoqërisë por me kalimin e kohës po pranohet si normale në mënyrë të pavetëdijshme.
Pranimi nga kryetarët e bashkive që Kryeministri të ushtrojë kompentencat e tyre deri tek çështjet e stafit ( zakon i vjetër i këtij të fundit ), apo lëvrimi i kontratave të jashtëligjshme “nga frika” tregon se shteti ynë “demokratik” është një sistem që ka standartizuar sjelljet e zyrtarëve dhe intrepretimin e ligjit duke ju bindur fuqisë së pushtetit dhe duke shpresuar mbrojtjen nga ai.
Vendimarrjet institucionale janë adaptuar sipas individëve të fuqishëm në vend qe t’u adaptoheshin interesave të shoqërisë.
Duke hequr dorë nga fuqia edhe pushteti që u jep ligji, duke mos guxuar të praktikojne “Jo -ne” si përgjigje, Kryetari i bashkisë, Drejtoresha e TOB, stafi i bashkisë së Fierit apo Tiranës, Ministri, kanë pranuar një zëri si normale, që veprimet edhe mosveprimet e tyre të udhëhiqen vetëm nga një objektiv: Të shmangin me cdo kusht të qenit në anën e gabuar të rishpërndarjes te të mirave që vijnë nga pushteti, duke shpresuar edhe mbrojtje nga ai .
E pra rritja e fuqisë së pushtetit ”demokratik “ është e vetmja politikë e sukseshme socialiste e cila ka instaluar përfundimisht korrupsionin sistemik në Shqipëri.
Për ta kuptuar këtë nuk ka nëvojë për Komisione Parlamentare Antikorrupsion e as për njësi antikorrupsion mjafton të lexosh lajmet e Korrikut.