Në sallën kur të premten e kaluar u prezantua drafti i kodit të ri penal, mungonte Prokurori i përgjithshëm Olsian Cela, pavarësisht ftesës nga Ministria e Drejtësisë. Ai shprehet se zgjedhja e tij për të mos marrë pjesë erdhi “për shkak të mosnjohjes paraprake me draftin në fjalë“.
Ngjashëm, e njëjta situatë kishte përfshirë dhe Gjykatën e Lartë, kryetari i së cilës Sokol Sadushi, e bëri të qartë në takim pakënaqësinë e tij, ndaj mospërfshirjes së komunitetit të magjistratëve në proces. “Prokuroria e Përgjithshme nuk ka qenë e përfaqësuar zyrtarisht në grupin e punës për hartimin e një kodi të ri penal“, shpjegon Cela.
Por ky nuk duket të jetë aspekti më i rëndësishëm i kritikave të forta të kryeprokurorit, të cilat nisin që me mënyrën e hartimit e shtrihen te mënyra e konceptimit, dhe përmbajtja e dokumentit që pritet të përcaktojë politikën penale për dekadat e ardhshme.
“Diskutimi mbi draftin e prezantuar do të kishte qenë e nevojshme që të ishte paraprirë nga një reflektim mbarëshoqëror mbi nevojën e pasjes së një kodi të ri“, thotë ai duke shpjeguar se pikënisja e hartimit të një kodi të ri penal duhet të ishte “një nevojë reale për shkak të evoluimit të vlerave shoqërore dhe përshtatjes me ndryshimet e vrullshme në nivel global në shumë aspekte”.
“Mungesa e këtij procesi përbën një gabim fatal strukturor në ngritjen e kësaj ngrehine, që në vend se të ishte produkt i një rrjedhe të natyrshme institucionale dhe shoqërore si domosdoshmëri historike, në fakt nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend“.
Kryeprokurori është kritik dhe me përmbajtjen dhe zgjidhjet e ofruara.
“Nga produkti i sjellë për diskutim, unë vlerësoj se ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme“.
Olsian Çela e sheh si problematike tendencën për të paravendosur në dispozita çdo interpretim të mundshëm të normës ligjore.
“Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve“.
Por sa e mundur është që procesi i konsultimeve i hapur tanimë, të sjellë përmirësimet e nevojshme? Për kryeprokurorin Cela “procesi i konsultimit publik dhe ai parlamentar më pas, ndikojnë pak ose aspak në thelbin e tij, çka e shndërron procesin e debatit publik në formal dhe të padobishëm, pasi nuk do të lejonte një ndërhyrje sistematike në tërësinë e draftit“.
“Eksperienca ka treguar se procesi i ligjbërjes në vend, të paktën sa i përket sistemit të drejtësisë dhe sidomos kuadrit ligjor penal, është difektoz dhe shpesh herë ndikohet nga nevojat dhe emocionet e çastit” dhe “kur bëhet fjale për një kod, nuk duhet të lejohet që ky gabim të përsëritej për një ligj kaq të rëndësishëm”, thotë Olsjan Çela.
Për Prokurorin e Përgjithshëm “më tepër se për një kod të ri penal, sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar gjërat që po shkojnë keq në funksionimin e tij dhe për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme, që po ndikojnë në zvarritjen e hetimeve dhe gjykimeve“.