Një ekspozitë e veçantë me vepra ikonografike shqiptare do të hapet vitin e ardhshëm në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, Francë, duke sjellë në vëmendje pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore për publikun ndërkombëtar.
Përzgjedhja përfshin mbi 45 ikona të çmuara nga fondi i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, institucioni që zotëron koleksionin më të madh të ikonave në botë, me rreth 6 mijë e 400 të tilla në një fond të përgjithshëm prej mbi 8 mijë e 200 objektesh muzeale.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka ndarë lajmin në rrjetet sociale, duke e cilësuar ekspozitën si një hap domethënës drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar dhe afirmimit të Korçës si një qendër të rëndësishme të artit mesjetar në Evropën Juglindore.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga maji deri në tetor të vitit 2026 në qytetin historik të Chambéry dhe më pas do të zhvendoset në një tjetër qendër ekspozimi në Francë, deri në mars 2027.
Ky është një projekt që pritet të rrisë vëmendjen ndërkombëtare ndaj trashëgimisë shqiptare dhe të forcojë lidhjet kulturore me vendet e Europës Perëndimore.
“Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve. Një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore”, njoftoi Gonxhja në rrjetet sociale.