Ballina Aktualitet Këshilli i Lartë i Prokurorisë mblidhet për çështjen ‘Sevdari’, si dhe për...

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mblidhet për çështjen ‘Sevdari’, si dhe për emërimet e prokurorëve

23
0

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të zhvillojë një mbledhje plenare nesër, më 30 Korrik 2025, në orën 09:00, për të diskutuar dhe miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme që prekin sistemin e drejtësisë në vend. Mbledhja do të mbahet në sallën e KLP-së dhe do të jetë e hapur për mediat.

Mbledhja, e thirrur nga Kryetarja e Këshillit, Mirela Bogdani, pritet të zgjasë rreth 90 minuta. Përveç anëtarëve të Këshillit, në të do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT, duke nënvizuar rëndësinë e temave që do të trajtohen.

Nga emërimet te rishikimi i vendimeve

Rendi i ditës përfshin disa pika me interes të madh publik si emërimi i magjistratëve të rinj. Një ndër pikat kryesore është diskutimi dhe miratimi i projektvendimit për caktimin në detyrë të 26 magjistratëve të sapoemëruar në Prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm. Kjo shënon një hap të rëndësishëm në plotësimin e nevojave për burime njerëzore në prokuroritë shqiptare.

Këshilli do të shqyrtojë dhe miratojë projektvendimin për rishikimin e vendimit, lidhur me mbarimin e mandatit të anëtares së KLP-së, znj. Antoneta Sevdari, për shkak të papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës. Kjo pikë pritet të gjenerojë jo pak debate.

KLP do të shqyrtojë dhe miratojë edhe ndryshime në rregulloren për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve, një hap ky drejt përmirësimit të standardeve dhe integritetit në sistem.

Së fundmi, do të diskutohet dhe miratohet edhe projektvendimi për praktikën profesionale të kandidatëve, profili prokuror, për vitin akademik 2025-2026, e rëndësishme kjo për formimin e brezave të rinj të prokurorëve.

Me kuorum të nevojshëm prej 7 anëtarësh, mbledhja do të sigurojë që vendimet të merren në përputhje me rregullat. Prania e përfaqësuesve nga institucionet kryesore të drejtësisë dhe projekteve ndërkombëtare, si dhe hapja ndaj medias, thekson transparencën e procesit vendimmarrës të KLP-së.

Informacioni për agjendën është bërë publik nga Sektori i TIK, Digjitalizimit dhe Statistikës në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Prokurorja Antoneta Sevdari u rikthye në sistemin e drejtësisë, pas një vendimi të Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA) që rishikoi çështjen e saj të vetingut. Ky zhvillim ershi pas fitores së Sevdarit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, e cila e konsideroi shkarkimin e saj nga procesi i vetingut si disproporcional dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.

Gjykata e Strasburgut, duke prishur verdiktin e mëparshëm ndaj Sevdarit, theksoi se çështja e saj nuk shërben për të hedhur poshtë në tërësi procesin e vetingut në Shqipëri./rtsh