Në kuadër të hetimeve të vazhduara për një episod të ndërlidhur me një marrëdhënie shitblerjeje, shtetasi Gentian Sula është pyetur sërish nga autoritetet më datë 5 qershor 2025, ku ka sqaruar rrethanat e përfshirjes së tij në një kontratë të firmosur me shtetasen Ajola Xoxa.
Sula ka deklaruar se më herët, më 9 janar 2025, kishte dhënë një dëshmi për këtë çështje, por atëherë ishte ndodhur në një gjendje tronditjeje dhe paqartësie. Ai ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë qëllim për të dhënë deklarata të pavërteta, por për shkak të mungesës së qartësisë dhe të kuptimit të plotë të rëndësisë ligjore të dëshmisë, kishte improvizuar në ato që kishte thënë.
“Kam reflektuar për gjithçka dhe dua të bashkëpunoj me drejtësinë. Nuk kam asgjë për të fshehur dhe dua të jetë e qartë se zhvilloj një biznes të ndershëm, paguaj taksat dhe jam familjar i rregullt. Nuk kam asnjë lidhje me veprimtari të jashtëligjshme dhe nuk dua që emri apo aktiviteti im të njolloset,” është shprehur Sula gjatë dëshmisë së tij.
I pyetur lidhur me shumën monetare prej 220,000 eurosh të gjetur gjatë një kontrolli më 6 dhjetor 2024 në ambientet e shoqërisë “Partners Laë” sh.p.k., Sula ka mohuar që të ketë porositur apo paguar ndonjëherë një shumë të tillë në cash. Ai ka theksuar se kontrata e kaparit, e datës 4 dhjetor 2024, nuk pasqyron të vërtetën dhe është nënshkruar prej tij vetëm si një favor për Ajola Xoxën, pa pasur dijeni për përdorimin e saj të mëtejshëm në institucionet ligjore.
Sipas tij, kontrata nuk ishte hartuar nga ai dhe është firmosur në mirëbesim, për shkak të një njohjeje të mëparshme me shtetasen Xoxa.
“Kam qenë i painformuar për problemet ligjore të saj dhe për arsyet për të cilat më kërkoi këtë dokument. Për shkak të angazhimeve dhe udhëtimeve të mia të shpeshta jashtë vendit, nuk i kushtova rëndësinë e duhur,” ka theksuar Sula.