Ballina Aktualitet Kontratë fiktive për shitjen e një dyqani, Ajola Xoxa ‘pastroi’ 100 mijë...

Kontratë fiktive për shitjen e një dyqani, Ajola Xoxa ‘pastroi’ 100 mijë € me shitjen e librarisë

0
27

SPAK ka zbuluar një tjetër rast pastrimi parash nga çifti Veliaj-Xoxa. Në një prej episodeve, për shitjen e një dyqani, Ajola Xoxa i ka dhënë blerësit paratë cash, dhe pas një kontrate fiktive ai do ja rikthente paratë në llogari bankare dhe do të merrte pronësinë e dyqanit. Transaksioni u krye në shumën e 150 mijë eurove, ndërkohë që vlera reale e shitjes ishte vetëm 50 mijë euro. 100 mijë euro, u qarkulluan nga vetë Ajola Xoxa me qëllim pastrimin e parave.

Dosja e Prokurorisë së Posaçme kundër kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, përmban një numër të konsiderueshëm eposidoesh, në të cilat çifti i parë i kryeqytetit akuzohet se kanë kryer pastrim parash. Në një episod, prokurorët dyshojnë se Ajola Xoxa ka pastruar të paktën 100 mijë euro të dyshimta, nëpërmjet kontratës fiktive për shitjen e një librarie.

Dyqani dikur ishte pronësi e shoqërisë “Botime Enciklopedike”, e drejtuar nga babai i Ajolës, i ndjeri Arben Xoxa. Pasi ai ndërroi jetë, kjo pronë, si edhe të tjera, i kaluan me trashëgimi ligjore vajzës së tij. Dyqani ishte ngjitur me një librari të vogël, e cila prej vitesh ishte në pronësi të një shtetasi, Agim Kuçuku, edhe ky tashmë ka ndërruar jetë. Sa ishte gjallë, Kuçuku kishte rënë dakord me Ajola Xoxën për të blerë dyqanin ngjitur me librarinë, me qëllim që të zgjeronte aktivitetin tregtar.

Kuçuku dhe Ajola Xoxa ranë dakord që çmimi i shitjes do të ishte 50 mijë euro. Por, me insistimin e bashkëshortes së Veliajt, kontrata u bë sikur vlera e shitjes ishte 150 mijë euro. Blerësi, Agim Kuçuku, nuk i kishte mundësitë financiare për të kaluar në llogarinë e Ajolës shumën 150 mijë euro. Për këtë arsye, Xoxa i ka dhënë në gjendje cash dhe në mënyrë të fshehtë 100 mijë euro, me qëllim që blerësi Kuçuku t’ia kalonte Ajolës në llogari bankare dhe, në këtë mënyrë, kjo shumë të konsiderohej e ardhur e ligjshme e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës.

Prokuroria e Posaçme i ka konfirmuar këto të dhëna nga bashkëshortja e të ndjerit Agim Kuçuku, e cila ka pranuar para grupit hetimor se familja e saj nuk ka pasur asnjëherë mundësi për të krijuar shumën 150 mijë euro, me të cilën është deklaruar si i blerë dyqani nga Ajola Xoxa. Po ashtu, SPAK-u ka kryer një ekspertizë financiare mbi të ardhurat e familjes Kuçuku ndër vite, në të cilat ka rezultuar tërësisht e konfirmuar se ata nuk kishin asnjë mundësi reale për të mbledhur atë shumë, e cila i është kaluar më pas Ajola Xoxes në llogarinë e saj bankare.

Grupi hetimor është i bindur se shuma prej 100 mijë eurosh është një e ardhur me burim të paligjshëm i familjes Veliaj-Xoxa dhe skema e kontratës fiktive është zbatuar për të ligjëruar burimin e tyre, nëpërmjet pastrimit të parave.