Nga Ylli Manjani
Në vijim të debatit mbi Kodin e ri Penal.
Korrupsioni është një formë vjedhje. Synimi është të merret një pasuri që nuk është e jotja. Por është një vjedhje në rrethana të posaçme, pasi hajduti në këtë rast është mbajtës i një funksioni publik dhe e përdor funksionin për të përfituar para ose pasuri për vete.
E quajnë “korrupsion” këtë formë vjedhje pikërisht për këto rrethana të posaçme. Pra për shkak të vjedhjes kompromentohet edhe ligjzbatimi dhe autoriteti i shtetit.
Si çdo vjedhje edhe korrupsioni ka dy palë: hajdutin dhe viktimën. Hajduti vjedh pasurinë e viktimës.
Kështu është edhe korrupsioni në thelb, ku shtetari hajdut përfiton pasurinë e viktimës që paguan për të marrë një favor.
E parë në këtë llogjikë, plaçka e korrupsionit, si në çdo vjedhje në këtë botë, ka njësi matëse. Është para apo pasuri dhe në ç’lloj formë e sasi gjendet?
Pra që korrupsioni të ekzistojë si vepër penale, ashtu si edhe vjedhja, duhet të ketë një sasi parash apo pasurie që është vënë në marrëdhënien korruptive si plaçkë këmbimi.
Nul ka korrupsion pa plaçkë, ashtu siç nuk ka vjedhje pa send të vjedhur.
Kjo e bën korrupsionin si vepër penale të hetueshëm e gjykueshëm strikt mbi bazë fakti. Pra ka apo jo plaçkë këmbimi dhe jo llafe mbi plaçkën.
Ndaj ato fjalët në kodin penal si “premtim” apo “ofrim” apo “kërkim” nuk mund të jenë vepra penale. Ato janë fjalë. Vepra penale në këtë rast është vetëm “dhënia” dhe “marrja”, si gjendje faktike.
Nuk ka korrupsion me llafe në një sallë gjyqi! Kjo që ndodh sot që me një fjalë goje akuzohesh e dënohesh për korrupsion pa dhënë e marrë asnjë qindarkë, është thashethem jo vepër penale. E papranueshme për një proçes të rregullt!
Llafet mbi korrupsionin bëhen në kafene apo portal, por jo në gjykatë.
Ndaj duhet saktësuar koncepti penal mbi këtë term.
Së dyti, nëse pranojmë se në korrupsion ashtu si në vjedhje ai që jep është viktima, llogjika ta do që kjo e fundit nuk dënohet por mbrohet. Viktima duhet nxitur të denoncojë dhe jo të kriminalizohet, si korrupsion “aktiv”. Nuk shkon kjo që hallexhiu të shpallet kriminel.
Pastaj, kush do ta denoncojë korrupsionin e zyrtarëve nëse ata që paguajnë janë njësoj të dënueshëm?!
Jam për ta shkruar konceptin e korrupsionit në Kodin e ri Penal sipas kësaj llogjike parashtrova.