Ballina Aktualitet OST thyen rekordin e policisë; Merr me qira 1 makinë për 49.166...

OST thyen rekordin e policisë; Merr me qira 1 makinë për 49.166 euro te Papuli dhe Qesko

0
35

Operatori i Sistemit të Transmetimit, një firmë shtetërore që merret me mirëmbajtjen e shtyllave të energjisë elektrike, ka finalizuar ditët e fundit një tender për marrje me qira të automjeteve. Skerdi Drenova ia ka lënë “stafetën” e drejtimit të OST-së Elisian Bicit, i cili ka firmosur edhe tenderin e fundit.

Bici ka “thyer” edhe rekordin e Policisë së Shtetit për marrje me qira të mjeteve, ku 1 mjet e mori me 33 dhe 34 mijë euro. Ndërkohë, vetë OST do e marrë një mjet me qira për një vlerë prej 49.166 euro.

Një “rekord” më vete, pasi ka dyshime se gjithçka është bërë për të favorizuar edhe firmën koncesionare. Në dokumente janë bërë edhe specifikime teknike, për gjatësinë, gjerësinë, trashësinë apo edhe fuqinë e motorit. Pikërisht këto detaje kanë sjellë që gara të ngushtohet dhe të fitojë firma që i plotëson.

Kompania që u shpall fituese, sipas dokumenteve që disponon VoxNews, është CLASSIC, me pronar z. Agron Papuli që ka 66.67 % të aksioneve dhe z. Artan Qesko, i cili ka 33.33 % të aksioneve të kësaj firme.

Objekti i tenderit ishte “automjete me qira operacionale leasing, për një periudhë 5 vjeçare” nga OST, ndërkohë që firma “CLASSIC” ofroi një vlerë prej 28.440.000 milionë. Në garë ishte edhe kompania “Tirana Auto”, me një vlerë prej 28,800,000 lekë pa TVSH.

Nëse do të bëjmë një llogari të thjeshtë rezulton se oferta e firmës fituese është rreth 295 mijë euro, ndërsa do të merren me qira 6 mjete. Rezulton se një mjet do t’i kushtojë OST-së plot 50 mijë euro.

Por, a mund të blihen mjete të tilla me këtë vlerë? Natyrisht që po, madje edhe me një vlerë shumë herë më të ulët. E gjitha është një skemë për të favorizuar koncesionarët e makinave, të cilët u vendosin edhe kushte institucioneve shtetërpre. Lidhjet që ata kanë krijuar kanë sjellë edhe këtë skemë, ku mjeti pasi përdoret me limite nga shteti, i rikthehet firmës.

Sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, OST ka shkruar edhe karakteristikat për makinat që do të marrë me qira. Sipas saj, automjeti duhet të jetë Pickup, distanca minimale nga toka duhet të jetë jo më e vogël se 200 mm, gjatësia e minimumi 5200 mm, lartësia 1750 mm, gjerësia e mjetit 1800 mm, distanca midis akseve 3000 mm, distanca midis rrotave të para 1500 mm dhe distanca midis rrotave të pasme 1500 mm.

Por, kërkohen edhe të dhëna të sakta të gjatësisë, lartësisë dhe gjerësisë së karrocerisë, gjithashtu edhe pesha e makinës apo edhe sa peshë mban. Kërkohet edhe apaciteti i motorrit të jetë minimumi 2.2 litra, etj, etj. Pikërisht këto karakteristika kanë sjellë që në tender të mos marrin pjesë shumë kompani të tjera. A ka qenë i gjithë tenderi i paracaktuar?/ VoxNews