Ballina Kulturë “Pallati 176”/ Artistët kujtojnë si e realizuan, komedia që theu rekordet e...

“Pallati 176”/ Artistët kujtojnë si e realizuan, komedia që theu rekordet e shikueshmërisë në vend

12
0

Në kinemanë verore të Arkivit të shtetit është shfaqur komedia “Pallati 176”. Të pranishëm ishin disa prej aktorëve që kanë interpretuar në një prej prodhimeve më të suksesshme artistike në vend.

E vënë në skenë më se 450 herë, komedia “Pallati 176” nisi si punë diplome e një studneti të Akademisë së Arteve. Ndërsa nxjerr në pah dukuri të viteve 1980 dhe marërdhëniet familjare, gjykimet e paragjykimet, ngërçet në komunikim, pjesa duket se shënoi sukses edhe për shkak të batutave të thjeshta që mundën  të vinin krejt natyrshëm nga një kast aktorësh të njohur si Violeta Manushi apo Roland Trebicka që mban peshë të madhe në shfaqje.

Sot, kur disa prej tyre s’janë më, kolegët i kujtojnë me nderim, ndërsa komedia u shfaq në  kinemanë verore të Arkivit të shtetit.

“Respekt i jashtëzakonshëm për kolegët tanë që me dashuri dhe përkushtim të madh e vunë në skenë atë pjesë të thjeshtë, si nga regjisorët dhe kolegët e mi. Sot kemi mbetur pak, jam unë, nëna e djalit, është djali dhe nusja.  Më bëhet qejfi që vitet kanë kaluar dhe ‘Pallati 176’ mbetet në vëmendjen tuaj. Ne ju kemi dhënë emocione por jeni ju që e bërë po aq të suksesshme me mbështetjen tuaj”, tha aktorja e njohur, Elida Janushi.

Një prej arsyeve pse shfaqja duket se gjeti më shumë publik, ishte thjeshtësia dhe mënjanimi i mesazheve politike që mbizotëronin artin e kohës. Publiku, duke se ka qenë i etur për një shfaqje pa praninë e lodhshme të partisë, Enverit e direktivave të  komitetit.

“Kur po punonim me ‘Pallatin 176’, Ilir Bezhani më tha që kjo do të ishte një shfaqje që do mbushte teatrin. Atëherë mendova se po e tepronte, por sot e di që jo vetëm që kishte të drejtë, por kjo i kaloi parashikimet e të gjithëve. Është kthyer në një kult. Mua ende më thërrasin Elsa dhe ndihem mirë sepse e di që më lidhin me personazhin”, tha Alikaj.

Shfaqja “Pallati 176” me autore Adelina Balashin  sjell një gamë të gjerë karakteresh që vijnë me gjithë ngjyrimet e  shoqërisë.