Ballina Kuriozitete ‘Sekreti’ i ruajtur brenda një shpelle, gjendet peshkaqeni i lashtë

‘Sekreti’ i ruajtur brenda një shpelle, gjendet peshkaqeni i lashtë

0
14

Shkencëtarët kanë gjetur mbetjet e një peshkaqeni të lashtë thellë brenda sistemit më të gjatë të shpellave në botë, shkruan Live Science.

Peshkaqeni i marrë nga muret e Guvës së Mamuthit në Kentucky, jetoi rreth 340 milionë vite më parë dhe kishte një rresht me dhëmbë të harkuar që i përdorte për të shtypur prenë.

Macadens olsoni ishte një peshkaqen i vogël, më pak se 30 centimetra i gjatë dhe me gjasë ushqehej me molusqe e krimba, sipas një deklarate të National Park Service.

Shkëmbinjtë e Guvës së Mamuthit u formuan 320-360 milionë vite më parë dhe dikur gjendeshin nën ujëra të cekëta të kripura që quhej Deti Misisipian. Sistemi u shpellave është më i vonë dhe u formua rreth 10-15 milionë vite më parë kur uji i lumenjve dhe burimeve depërtoi në shkëmb duke gdhendur kalimet që gjenden sot.

Gjatësia e saktë e Guvës së Mamuthit nuk dihet, por eksploruesit kanë hartëzuar më shumë se 686 kilometra dhe po vazhdojnë të gjejnë kalime të reja. Është një shpellë thesari me fosile të lashta peshqish nga ku janë gjetur më shumë se 70 lloje në mure.