Ballina Editorial Të inkurajosh të keqen dhe të presësh nga e mira!

Të inkurajosh të keqen dhe të presësh nga e mira!

0
15

Nga Namir Lapardhaja

Si shoqëri, kemi inkurajuar të keqen dhe dekurajuar të mirën. Kemi dështuar në të gjithë hallkat e arsimimit dhe të shkollimit, duke u dhënë fëmijëve tanë modelin e më të fortit, duke i folur për pasurim të shpejtë në rrugë të paligjshme dhe duke e bombarduar përditë nëpërmjet ekranit me modele që promovojnë jetën e luksit pa punuar një ditë në jetën e tyre.
Vite më parë, kur pyesja nxënësit e mi se çfarë profesioni do të zgjidhni kur të rriteni, përgjigjja e njërit prej tyre ishte epike: “Spaçiatore (shpërndarës droge)”. Ishte viti 2016-2017, kulmi i kanabizimit të vendit, ku në Shqipëri flitej vetëm për bimë narkotike dhe kanabizim.
Shkolla vijon dështimet e sukseshme, ndërsa flitet vetëm për arritje dhe suksese. Pa një reflektim të thellë, duke transformuar të gjithë sistemin tonë arsimor, nuk do jetë e largët dita e falimentit të saj. Por nuk mund të ketë ndryshim në jetën tonë, pa ndodhur më parë në mënyrën tonë të të menduarit. Kërkojmë drejtësi, ndërkojëhë që jemi pjesëtarë të një mendësie që prej rojes më të humbur të një institucioni dhe tek drejtuesi më i lartë i qeverisë, e kemi mendjen si të bëjmë ndonjë lekë, kush me dy mijë lekëshe, kush me 2 milionë euro.
As dyqind burgje nuk do të mjaftonin për të ndëshkuar mentalitetin e korruptuar. Kërkojmë ndershmëri, ndërkohë jemi pjesë e një tradite që mes të ndershmit dhe hajdutit, zgjedhim lehtësisht këtë të dytin.
Kërkojmë që të mos na bëhet padrejtësi, ndërsa, sapo na jepet rasti, e kemi më të lehtë të zgjedhim të padrejtin se sa të drejtin. Kërkojmë politikanë të iluminuar dhe, sapo na jepet rasti, vemë votojmë për injorantin. Kërkojmë urtësi, ndërsa urtësinë te tjetri e marrim për dobësi.
Ankohemi nga brutaliteti, kurse maturinë e marrim për mefshtësi.
Ankohemi se na shkelmojnë si të dobët, ndërkohë admirojmë “të fortin” deri në adhurim.
Ankohemi se na gënjejnë, nga ana tjetër, vrapojmë të votojmë për ata që na gënjejnë më bukur.
Që ndryshimi të ndodhë, ai duhet të fillojë më parë nga ne, nga mënyra jonë e të menduarit dhe të arsyetuarit. Nëse vetë të mungon morali, si mund të të çudisin politikanët e pamoralshëm!
Nëse vetë noton në dallgët e gënjeshtrës, patjetër që e vërteta do ta humbasë kuptimin! Nëse virtyti sheh turpin në sy dhe skuqet, ç’mund të thuash për ata njerëz që e kanë më për mbarë t’i gënjesh se sa t’u thuash të vërtetën.
Edhe pse e kuptojnë, të thonë: “Aman, na gënje!”
Që punët të ecin mirë në këtë vend, politikën nuk duhet ta bëjnë harbutët, injorantët dhe dallkaukët. Si përfaqësues nuk duhet zgjedhur ai që gënjen më bukur, ai që vjedh më me lezet apo ai që na lë edhe ne të vjedhim.
Shqipërinë e shpëton vetëm inkurajimi i së mirës dhe dekurajimi i së keqes. Përndryshe, e keqja do vijojë të fitojë terren dhe të na mbysë në të zezën e saj.