18 emigrantë kanë humbur jetën tragjikisht dhe 50 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë u fundos në brigjet e Tobrukut në kufirin e Libisë me Egjiptin. Ngjarja u regjistrua gjatë fundjavës sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin.
“Kjo tragjedi e fundit është një kujtesë e zymtë e rreziqeve vdekjeprurëse me të cilat përballen njerëzit në kërkim të sigurisë dhe mundësive. Libia mbetet një qendër e madhe për migrantët dhe refugjatët, shumë prej të cilëve përballen me shfrytëzim, abuzim dhe udhëtime kërcënuese për jetën”, shtoi IOM.
Që nga përmbysja e Muamar Gadafit në vitin 2011, Libia është bërë një qendër tranziti për emigrantët që kërkojnë të arrijnë Evropën duke kaluar shkretëtirën dhe Detin Mesdhe për t’i shpëtuar luftës dhe varfërisë.