Ballina Bota Valët e para të cunamit në Hawaii dhe Alaska pas tërmetit me...

Valët e para të cunamit në Hawaii dhe Alaska pas tërmetit me magnitudë 8.8 në Rusi, alarm në të gjithë Paqësorin

55
0

Një tërmet me magnitudë 8.8 të shkallës Rihter, më i forti në rajon në gati 73 vjet, goditi brigjet e Gadishullit Kamchatka në lindje të Rusisë në orët e para të së mërkurës, duke shkaktuar një cunami në Rusi dhe Japoni dhe duke nxitur paralajmërime për banorët e pothuajse çdo vendi që kufizohet me Oqeanin Paqësor.

Cunami ka përmbytur tashmë qytetin Severo-Kurilsk, në pjesën veriore të arkipelagut rus të njohur si Ishujt Kuril, sipas Ministrisë Ruse të Emergjencave. Rreth 2,700 banorë u evakuuan nga rajoni, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, raportoi agjencia TASS. Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë ujërat e rrëmbyeshëm që përmbytin prona në qytetin Severo-Kurilsk, i cili u evakuua me urgjencë.

Sipas agjencisë shtetërore ruse RIA, e cila citon guvernatorin e rajonit, rrjeti elektrik në Sakhalin është dëmtuar dhe energjia elektrike është ndërprerë si pasojë e tërmetit.

Valët e para të cunamit arrijnë në Alaska dhe Hawaii

Sipas mediave amerikane, valët e para të cunamit kanë mbërritur në Alaska dhe Hawaii. Në ishullin Oahu në Hawaii është regjistruar një valë deri në 1.20 metra. Strehimore emergjente janë hapur për banorët që u kërkua të largohen nga zonat bregdetare. Guvernatori paralajmëroi se valët mund të “mbështjellin ishujt”.

Sipas rrjetit lokal KGMB/KHNL, në bashkëpunim me CNN, banorët janë informuar për vendndodhjen e strehimoreve në Oahu, Kauai, Maui dhe Qarkun e Hawaiit. Autoritetet këshilluan qytetarët të zhvendosen në zona më të larta dhe të shmangin bregdetin.

Alarm në Japoni – evakuime dhe paralajmërime

Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga televizioni japonez NHK treguan njerëz që iknin me nxitim në drejtim të zonave më të larta, veçanërisht në ishullin verior Hokkaido, ku u regjistrua një valë cunami prej rreth 30 centimetrash. Prezantuesi i NHK-së u bëri thirrje banorëve të largoheshin menjëherë nga bregdeti për të shpëtuar jetën.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) fillimisht raportoi një tërmet me magnitudë 8.0, më pas e rishikoi në 8.7 dhe përfundimisht në 8.8. Epiqendra ndodhej rreth 126 kilometra nga kryeqyteti i rajonit Kamchatka, në një thellësi prej 20.7 kilometrash. Sipas Akademisë Ruse të Shkencave, ky është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar në këtë zonë që nga viti 1952.

Në Japoni u pezulluan disa linja hekurudhore dhe Agjencia Meteorologjike Japoneze (JMA) paralajmëroi valë cunami deri në 3 metra. JMA u kërkoi qytetarëve të mos i afroheshin bregdetit derisa të hiqeshin të gjitha paralajmërimet. Alarmet u lëshuan për të gjithë brigjet veriore dhe lindore të Japonisë, përfshirë Tokion dhe Osakën.

Zëdhënësi i qeverisë, Yoshimasa Hayashi, u bëri thirrje banorëve të evakuohen menjëherë në zona të sigurta. Paralajmërimet mbulojnë edhe ishujt e vegjël periferikë të vendit.

Evakuim në Fukushima – nuk raportohet dëmtim në centralin bërthamor

Punonjësit në centralin bërthamor të dëmtuar të Fukushimës, vendi i një prej katastrofave më të mëdha bërthamore në vitin 2011, u evakuuan si masë paraprake. Kompania TEPCO, që menaxhon centralin, njoftoi se nuk janë vërejtur anomali në funksionimin e tij.