Ballina Europë BE kërkon të trefishojë tarifën e hyrjes: 20 euro për të vizituar...

BE kërkon të trefishojë tarifën e hyrjes: 20 euro për të vizituar vendet e Unionit

15
0

Komisioni Europian ka propozuar së fundmi, një tarifë prej 20 € për qytetarët nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Europian, për të mbledhur më shumë “burime” për buxhetin e Unionit.

Nga fundi i vitit 2026, qytetarët e vendeve që nuk kanë nevojë për vizë, përfshirë edhe Shqipërinë, do të duhet të pajisen me një autorizim të ri udhëtimi përmes Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), përpara se të hyjnë në zonën Schengen.

ETIAS nuk është vizë, por një leje elektronike që plotësohet dhe paguhet online dhe që vlen për udhëtime të shkurtra, deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore, shkruan A2 CNN.

Aplikimi është i thjeshtë dhe pritet të jete efektiv për 3 vite, ose do t’u duhet ta rinovoni nëse u skadon pasaporta.

Fillimisht, u propozua që tarifa për aplikimin të ishte 7 euro. Por tani Komisioni Europian ka propozuar ta rrisë në 20 euro, me qëllim që të gjenerojë më shumë të ardhura për buxhetin e përbashkët të Bashkimit Europian.

Kjo tarifë do të paguhet vetëm nga personat e moshës 18 deri në 70 vjeç. Personat nën 18 vjeç dhe ata mbi 70 do të përjashtohen nga pagesa. Por kjo kategori moshe nuk përjashtohet nga aplikimi.

Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se ETIAS nuk ka hyrë ende në fuqi.

Sistemi pritet të jetë online nga fundi i vitit 2026, dhe deri atëherë, qytetarët nga vende jo-anëtare të Bashkimit Europian, mund të udhëtojnë në vendet e zonës Schengen si më parë, pa autorizim paraprak dhe pa pagesë.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka njoftuar se duke filluar nga data 12 tetor 2025 do të nisë zbatimin gradual të një sistemi të ri për kontrollin e hyrjeve dhe daljeve të qytetarëve që nuk janë pjesë e BE-së.

Ky sistem i quajtur “Entry/Exit System” (EES) do të zëvendësojë vulosjen tradicionale të pasaportave me regjistrimin digjital të të dhënave biometrike si gjurmët e gishtave dhe imazhi i fytyrës.

Zbatimi i këtij sistemi vjen përpara pushimeve të mesit të sezonit shkollor dhe do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek të gjithë turistët apo udhëtarët për qëllime biznesi që nuk janë qytetarë të Bashkimit Europian, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë.