Shkaku i vdekjes së legjendës së WWE, Hulk Hogan, është bërë publik.
Legjenda 71-vjeçare u dërgua me urgjencë në spital më 24 korrik, pas një arresti kardiak të ndodhur në shtëpinë e tij në Floridën Jugore.
Sipas të dhënave të Qendrës së Shkencave Ligjore të Qarkut Pinellas, të siguruara nga “The US Sun”, Hogan vdiq si pasojë e një infarkti akut të miokardit – i njohur ndryshe si atak në zemër.
Ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi gjithashtu se ai kishte një histori të fibrilacionit atrial – një çrregullim i ritmit të zemrës që shkakton rrahje të parregullta ose shumë të shpejta.
Po ashtu, dokumentet tregojnë se Hogan vuante nga leuçemia limfocitike kronike (CLL), një formë e kancerit që prek qelizat e bardha të gjakut.
Hogan nuk e kishte bërë publike betejën e tij me kancerin.
Një zëdhënës i qendrës deklaroi se familja planifikon të kremojë trupin e tij, ndërsa nuk u dhanë detaje të mëtejshme për ceremoninë e varrimit, sipas “Page Six”.
Prej muajsh, legjenda e mundjes përballej me probleme serioze shëndetësore.
Ai pësoi arrestin kardiak në rezidencën e tij luksoze prej 11.5 milionë dollarësh në Clearwater.
Në maj, iu nënshtrua një operacioni në qafë, i ndjekur nga komplikime që çuan në një tjetër shtruarje urgjente në spital.
Në qershor, gjendja e tij u përkeqësua, duke bërë që të humbiste ndjeshmërinë në këmbë dhe të detyrohej të përdorte bastun për të ecur.
Megjithatë, shumë afër tij, përfshirë bashkëshorten Sky, minimizuan seriozitetin e situatës.
Në rrjetet sociale, Sky kishte shkruar muajin e kaluar se zemra e Hogan ishte “e fortë” dhe se ai “nuk kishte pësuar mungesë oksigjeni apo dëmtime të trurit”.
Beteja e fshehtë me kancerin
Leuçemia limfocitike kronike është një kancer me progres të ngadaltë që nis në palcën e kockave dhe prodhon qeliza të bardha të gjakut në mënyrë të çrregullt, duke dëmtuar aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet.
Simptomat përfshijnë lodhje të theksuar, dobësi, infeksione të shpeshta dhe mavijosje të lehtë. Shpesh, sëmundja kalon pa simptoma për vite me radhë, ndaj është e mundur që Hogan të mos e ketë ditur diagnozën në një fazë të hershme.
Në raste të tilla, mjekët zakonisht rekomandojnë ndjekje të kujdesshme pa nisur menjëherë trajtim, për shkak të riskut të efekteve anësore që tejkalojnë përfitimet. Kur është e nevojshme, leuçemia mund të trajtohet me ilaçe të synuara, imunoterapi apo kimioterapi.