Ballina Bota Kamala Harris nuk heq dorë, përballë Trump edhe në 2028-ën?

Kamala Harris nuk heq dorë, përballë Trump edhe në 2028-ën?

15
0

Ish-zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka bërë të ditur se nuk do të garojë për postin e guvernatores së Kalifornisë në zgjedhjet e vitit 2026, duke lënë të hapur mundësinë e një kandidimi për president në vitin 2028.

Në një deklaratë zyrtare, Harris tha se ka reflektuar gjatë për mënyrën më të mirë për të kontribuar në jetën publike dhe se, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, ka vendosur të mos hyjë në garën për guvernatore, ndonëse shprehu dashurinë e saj për Kaliforninë.

Ky vendim ka rindezur spekulimet për të ardhmen e saj politike, veçanërisht pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ndaj Donald Trump. Harris nuk e përjashton një tjetër garë për Shtëpinë e Bardhë, pas përpjekjeve të dështuara në vitet 2020 dhe 2024.

“Për momentin, drejtimi dhe shërbimi im publik nuk do të jenë përmes një funksioni të zgjedhur,” tha ajo, duke shtuar se do të angazhohet për të ndihmuar në zgjedhjen e demokratëve dhe do të ndajë së shpejti planet e saj.

Këshilltari i saj, Sean Clegg, konfirmoi se Harris ka shqyrtuar opsione të tjera, përfshirë krijimin e një organizate për të angazhuar votuesit e rinj.

Megjithëse do të ishte një kandidate e fortë për guvernatore, me përvojë të gjerë në Kaliforni dhe politikën kombëtare, Harris duket se është më e prirur të ndikojë nga jashtë strukturave zyrtare.

Në garën për guvernator kanë hyrë tashmë disa emra të njohur si Katie Porter, Antonio Villaraigosa dhe Xavier Becerra. Ndërsa Harris mbetet një figurë me ndikim në politikën amerikane, një rikthim i mundshëm në garën presidenciale në 2028 mbetet i hapur.