Ballina Aktualitet “Kodi i ri Penal i mbyll gojën shoqërisë”/ Akademiku Fuga: Nuk pashë...

“Kodi i ri Penal i mbyll gojën shoqërisë”/ Akademiku Fuga: Nuk pashë një nen që mbron gazetarët

20
0

Bashkëjetesa me të mitur pritet të ndëshkohet deri me 16 vite burgim. Gjithashtu edhe prindërit që e lejojnë, rrezikojnë deri në 10 vjet burg.

Rrezik për t’u prangosur edhe për martesat e dyfishta. Në qeli mund të përfundojë edhe kush lëviz me makinë të pakoloduar. Pas hekurave rrezikojnë të qëndrojnë edhe ata që vendosin tarifa të papërshtatshme shërbimi.

Burg nëse ndikon me komente gjykatën apo nxjerr sekrete hetimore; janë disa nga risitë e propozuara për Kodin e ri Penal.

“Në shumë nene më shumë mbrohet shteti se qytetari. Sigurisht duhet mbrojtur shteti, kryeministri, presidenti. Por duhet të përcaktohet: nga dallon kritika nga denigrimi? Përndryshe rrezikohet që të gjithë shoqërisë t’i mbyllet goja, gazetarit t’i mbyllet goja, kritikës, opozitës apo një qytetari të thjeshtë t’i mbyllet goja. Nuk pashë asnjë nen të mbrojë të drejtën për t’u informuar. Të quajë vepra penale ato veprime që rrezikojnë e pengojnë gazetarin, censurojnë median”, thotë akademiku Artan Fuga për Top Channel.

Drafti i ndryshimeve të Kodit Penal, aktualisht në fazë konsultimi publik, është kritikuar ashpër nga akademiku Artan Fuga edhe për formulimet e paqarta dhe përdorimin e gjuhës metaforike që sipas tij bie ndesh me precizitetin që ka ligji.

“Teksti është i mbushur me metafora poetike dhe prozaike të cilat nuk janë koncepte ligjore dhe, duke qenë të tilla, ato mund të interpretohen si një fizarmonikë, si një llastik. Kjo do të krijojë probleme pafund. P.sh. thuhet: ndëshkohet përdhosja e kombit. Çdo gjë mund të quhet përdhosje, edhe një kritikë. Ose thuhet: pamjet e një personi që e bëjnë të neveritet nga opinioni. Çfarë do të thotë kjo? Zgjatje e proceseve gjyqësore, subjektivizëm”, shton ai.

Një tjetër çështje që e sheh me shqetësim është ndëshkimi i individëve që publikojnë të dhëna sensitive, si një cenim i lirisë së informacionit, nën alibinë e “pengimit të drejtësisë”.

“Ka pafund publikues anonimë. Sot jetojmë në kohën e web-it. Nuk jetojmë në kohën e gazetës Zëri i Popullit. Publikuesi kush është? Pronari i medias? Ai që mban platformën? Është gazetari që mban përgjegjësi? Apo të gjithë këta? Nxjerrja e një sekreti mund të pengojë drejtësinë, por edhe mund ta ndihmojë, sepse merret sikur gazetari është armik i drejtësisë!”, përfundon akademiku për Top Channel.

Fuga e konsideron problematike edhe mospërputhjen e ndryshimeve të kërkuara me realitetin digjital.