Juventusi është ende në bisedime me Paris Saint-Germain për të mbajtur Randal Kolo Muanin, por sipas Footmercato, bardhezinjtë po përballen me konkurrencë serioze nga Tottenham Hotspur, Newcastle United dhe Manchester United.
Sulmuesi kaloi gjashtë muajt e fundit të sezonit në huazim te Juventusi dhe kishte shpresuar ta bënte transferimin të përhershëm – ose të paktën që klubi italian të zgjaste huazimin edhe për një sezon tjetër me detyrim blerjeje në qershor 2026.
Megjithatë, negociatat janë bllokuar dhe nuk ka pasur përparim të ndjeshëm, çka rrezikon që Juventusi ta humbasë plotësisht lojtarin.
Tottenham po e ndjek nga afër
Paris Saint-Germain i ka bërë të qartë Kolo Muanit se nuk bën pjesë në planet e tyre për sezonin e ardhshëm, ndaj do të largohet gjatë kësaj vere – edhe nëse nuk kthehet te Juventus.
Në këtë kontekst, Footmercato raporton se Tottenham ka shprehur interes për ta transferuar sulmuesin francez.
Spurs do të kishin një avantazh të madh, pasi janë të gatshëm ta blejnë lojtarin menjëherë, ndryshe nga formula e Juventusit me huazim dhe opsion blerjeje.
Kolo Muani, sipas Fabrizio Romano dhe burimeve të tjera, do të preferonte të qëndronte te Juventusi – por nuk është i gatshëm të presë pafundësisht.
I njëjti qëndrim vlen edhe për Manchester United dhe Newcastle United, të cilat po ashtu janë të interesuara për të bërë një ofertë.
26-vjeçari iu bashkua PSG-së në vitin 2023 nga Eintracht Frankfurt për një shumë të madhe prej 95 milionë eurosh.
Në fanellën e Juventusit, ai zhvilloi 22 ndeshje zyrtare, duke shënuar 10 gola dhe dhënë 3 asistime.