Me vendim të Gjykatës së Qarkut të Sisakut, ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, i cili po vuan dënimin në burgun e Lipovicës, është liruar me kusht.
Kjo është konfirmuar nga Gjykata e Qarkut në Sisak, dhe vendimi është marrë sot në një seancë të këshillit gjyqësor, raporton jutarnjilist.
Kujtojmë se Ivo Sanader ishte dënuar me një dënim prej 18 vitesh burg. Deri tani, ai është parë edhe në Zagreb dhe në Kutina, duke përfituar nga lehtësitë që i ofron Ligji për Ekzekutimin e Dënimeve me Burg.
Sot në Gjykatën e Qarkut në Sisak u mbajt gjithashtu një seancë gjyqësore, në të cilën, sipas informacioneve të mediumit kroat, është vendosur se ish-kryeministri i plotëson kushtet për t’u liruar nga burgu para se të vuajë të gjithë dënimin.
Dy vite më parë kishim shkruar se atëherë, 69-vjeçari Sanader, mund të qëndronte pas hekurave deri në moshën 80-vjeçare nëse gjykata nuk do t’i aprovonte lirimin e parakohshëm, për shkak të tre vendimeve të formës së prerë.
Për nxjerrjen e parave nga ndërmarrjet publike për fondin e zi të HDZ-së dhe për donacionet e paregjistruara në arkën e partisë, Sanader është dënuar me 7 vjet burg.
Për kërkimin dhe marrjen e 17.5 milionë kunave (rreth 2.3 milionë euro) nga Stjepan Fioliq në këmbim të favorizimit për shitjen e një ndërtese për Ministrinë, ai mori 6 vjet burg.
Për dorëzimin e të drejtave menaxhuese mbi kompaninë INA kompanisë hungareze të naftës në këmbim të një ryshfeti prej dhjetë milionë eurosh, është dënuar me 6 vjet burg.