Ballina Aktualitet Parku Kombëtar i Vjosës, Kumbaro: Jo më depozitime mbetjesh buzë lumit dhe...

Parku Kombëtar i Vjosës, Kumbaro: Jo më depozitime mbetjesh buzë lumit dhe derdhje të ujërave të ndotura

20
0

Në kuadër të projekteve për zhvillimin dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Vjosës, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, inspektoi sot punimet në kantierin e Qendrës Multifunksionale, duke theksuar se ajo do të jetë shumë më tepër se një qendër vizitorësh.

Sipas ministres, projekti parashikon ngritjen e tre pikave kryesore, ku do të vendosen Muzeu Natyror, ambientet e edukimit mjedisor, si dhe hapësirat e shërbimit për turistët, studiuesit dhe administratën. Kompleksi do të shtrihet në rreth 3,500 m² dhe do të jetë në shërbim të vizitorëve dhe ekspertëve të mjedisit.

“Është shumë më tepër se një qendër vizitorësh, do të jenë tre pika dhe qendra më e madhe do të jetë në buzë të Vjosës dhe aty do ndodhet dhe muzeu natyror dhe ambientet e edukimit mjedisor dhe ambientet për shërbime për turistët dhe studiues. Rreth 3500 metra katror në shërbim të vizitorëve dhe administratës dhe studiuesve dhe ekspertëve të mjedisit. Jo të gjitha problemet janë zgjidhur pasi kemi shumë të trashëguara ndër vite por me planin e menaxhimit kombëtar të Parkut kombëtar të Vjosës do të kemi ndërhyrje rehabilitimi të disa pikave nga problemet e sjella në të kaluarën nga industritë e ndryshme”, tha Kumbaro.

Kumbaro nënvizoi se pjesë e projekteve janë edhe ndërhyrjet rehabilituese për të zgjidhur problematikat e trashëguara ndër vite nga aktivitetet industriale. Me shpalljen e Vjosës, Parku Kombëtar, janë ndalur të gjitha aktivitetet industriale. Kumbaro tha se këtë vit do të nisë zbatimi i planit të menaxhimit të mbetjeve për qarkun e Gjirokastrës, duke ndaluar depozitimin buzë Vjosës dhe duke pastruar zonat ekzistuese.

Gjithashtu, shtoi ajo, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po realizohet pajisja e bashkive të mëdha dhe zonave përreth me impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, për të ndaluar derdhjen e tyre në lumë.

“Me shpalljen Park Kombëtar janë ndalur të gjithë aktivitete industriale dhe këtë vit nis zbatimi i planit të menaxhuar të mbetjeve i gjithë qarkut Gjirokastër, nuk do ketë më depozitime buzë Vjosës dhe do depozitohen në pika të tjera. Pjesa ekzistuese do të pastrohen të gjitha dhe pjesa tjetër është derdhja e ujërave të ndotura në Vjosë. Në projektin e Bankën Botërore ka nisur dhe do pajisë me impiante bashkitë e mëdha dhe zonat rreth Vjosës që të kemi impiante të trajtimit të ujërave të ndotura dhe të mos kemi më derdhe të tyre në Vjosë”, tha Kumbaro.

Parku Kombëtar i Vjosës, i cili shtrihet në mbi 12 mijë hektarë, po merr jetë edhe përmes Qendrave Multifunksionale në Tepelenë dhe Përmet, të dedikuara informacioneve shkencore, muzeve, itinerareve dhe hapësirave edukative, duke u kthyer në pika të rëndësishme për studiuesit dhe dashamirësit e natyrës.