Senati i SHBA-së ka hedhur poshtë një kërkesë për bllokimin e shitjes së armëve Izraelit.
Sipas mediave të huaja, një numër gjithnjë e në rritje demokratësh votuan për të ndaluar dërgesat, duke bërë që senatori Bernie Sanders të pretendonte se “situata po ndryshon”.
Sanders është përpjekur vazhdimisht të bllokojë shitjen e armëve sulmuese Izraelit gjatë vitit të kaluar.
Ndërsa paketa dështoi të miratohej, 27 demokratë votuan në favor të njërës prej rezolutave. Kjo shënon më shumë se gjysmën e demokratëve në Senat.
Numërimi i votave pasqyron pakënaqësinë në rritje midis disa prej aleatëve ndërkombëtarë të Izraelit.
Senatorja Patty Murray, e cila në të kaluarën ka rrëzuar rezoluta të ngjashme nga Sanders, tha se e mbështeti atë këtë herë.
“Si një mik dhe mbështetës i hershëm i Izraelit, po votoj pro për të dërguar një mesazh: qeveria Netanyahu nuk mund të vazhdojë me këtë strategji”, tha ajo në një deklaratë.
Një tjetër senator demokrat, Dick Durbin, tha se ishte “e dhimbshme” të mos mbështetej rezoluta.
“Për shumë prej nesh që ia kemi kushtuar karrierën tonë në kongres mbështetjes së Izraelit, duke i qëndruar pranë në kohë të vështira, është e pamundur të shpjegojmë ose mbrojmë vërtet atë që po ndodh sot”, tha Durbin.
“Gaza po vuan nga uria dhe po vdes për shkak të politikave të Bibi Netanyahut”, shtoi ai.