Ballina Kuriozitete Shefat e NASA-s dhe Roscosmos ndjekin sot nga Florida një mision të...

Shefat e NASA-s dhe Roscosmos ndjekin sot nga Florida një mision të përbashkët drejt Stacionit Hapësinor

17
0

Shefat e NASA-s dhe të agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos do të ndjekin sot nga Florida nisjen e një kapsule hapësinore, e cila do të dërgojë drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor dy astronautë amerikanë, një kosmonaut rus dhe një astronaut japonez. Bëhet fjalë për një mision rutinë për ndërrimin e ekuipazhit, i cili përkon me një takim të rrallë ballë për ballë mes drejtuesve të dy programeve hapësinore.

Katër anëtarët e ekuipazhit mbërritën mëngjesin e sotëm në bazën e nisjes së SpaceX, në Qendrën Hapësinore Kennedy të NASA-s, në prag të nisjes së planifikuar për në orën 16:06 me orën lokale, do të udhëtojnë për 39 orë me anijen hapësinore Dragon të SpaceX për të mbërritur në laboratorin orbitues ku do të qëndrojnë për të paktën gjashtë muaj.

Drejtori i Roscosmos, Dmitry Bakanov, ndodhet gjithashtu në Florida për të ndjekur nisjen dhe pritet të zhvillojë takim me drejtorin e ri të NASA-s, Sean Duffy, i cili mori detyrën këtë muaj, si dhe me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Transportit.

Kjo është hera e parë që krerët e agjencive hapësinore të SHBA-së dhe Rusisë takohen që nga viti 2018, një moment i rëndësishëm për drejtuesin e ri të NASA-s, i cili aktualisht shërben në mënyrë të përkohshme.

Pavarësisht tensioneve politike mes SHBA-së dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, bashkëpunimi hapësinor ka vijuar, me shkëmbime të astronautëve dhe punë të përbashkët në stacionin hapësinor, një simbol 25-vjeçar i diplomacisë shkencore dhe një platformë kritike për mbajtjen gjallë të programeve të fluturimeve të përbashkëta.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, në takimin e tyre, Bakanov dhe Duffy pritet të diskutojnë mbi zgjatjen e marrëveshjes për shkëmbimin e vendeve në fluturime, ku amerikanët udhëtojnë me kapsulat ruse Soyuz dhe rusët me ato amerikane, si dhe mbi fundin e planifikuar të funksionimit të stacionit në vitin 2030.

Misioni i sotëm, me emrin Crew-11, përfshin astronautët amerikanë Zena Cardman dhe Michael Fincke, kosmonautin rus Oleg Platonov dhe astronautin japonez Kimiya Yui. Ata pritet të mbërrijnë në stacionin hapësinor të shtunën në mëngjes, ku do të zëvendësojnë ekuipazhin Crew-10, i cili do të kthehet më 6 gusht.

Ndërsa misionet e zakonshme në ISS zgjasin gjashtë muaj, Crew-11 mund të bëhet i pari që do të zgjasë tetë muaj, si pjesë e një përpjekjeje për të harmonizuar kalendarët e fluturimeve mes SHBA-së dhe Rusisë.

Për Zena Cardman, e zgjedhur si astronaute nga NASA në vitin 2017, dhe për Platonov, një inxhinier i trajnuar për operacione fluturimi dhe kontroll të trafikut ajror që u përzgjodh nga Roscosmos në vitin 2018, kjo do të jetë fluturimi i tyre i parë në hapësirë.

“E dimë se është në duar të sigurta”, tha për Platonov Sergei Krikalev, përgjegjës për fluturimet e ekuipazheve në Roscosmos dhe vetë një kosmonaut me përvojë.