Mbrojtësi i Paris Saint-Germain dhe i kombëtares së Marokut, Achraf Hakimi, rrezikon përballjen me një proces gjyqësor pas akuzave për përdhunim, bëjnë me dije burime zyrtare në Francë. Prokuroria e Nanterre ka paraqitur më 1 gusht 2025 një kërkesë për aktakuzë, duke synuar që çështja të kalojë për gjykim në gjykatën penale të Hauts-de-Seine.
Ngjarja e dyshuar daton në shkurt 2023, në banesën e futbollistit në Boulogne-Billancourt, pranë Parisit. Hakimi e ka mohuar kategorikisht akuzën, duke e cilësuar si një tentativë për shantazh financiar.
Sipas të përditshmes franceze Le Parisien, viktima e dyshuar, një 26-vjeçare, kishte komunikuar me lojtarin përmes Instagram-it për më shumë se një muaj përpara takimit të tyre. Ajo ka deklaruar se gjatë vizitës në banesën e Hakimit, futbollisti e ka puthur dhe prekur pa pëlqimin e saj, më pas e ka detyruar me forcë në marrëdhënie. Fillimisht ajo nuk paraqiti një kallëzim zyrtar, por më vonë dorëzoi mesazhe dhe dëshmi që përshkruanin traumën e përjetuar.
Hakimi u vu nën hetim zyrtar më 3 mars 2023 dhe u mor në pyetje, duke kaluar disa orë në paraburgim. Në dhjetor të po atij viti, ai dhe paditësja u përballën në gjykatë, duke mbetur në pozicionet përkatëse.
Në janar 2025, Hakimi deklaroi për një bloger:
“E vërteta është që kur je i suksesshëm, bëhesh një shënjestër e lehtë për disa njerëz. Ata donin të më shantazhonin, prandaj edhe bëmë kallëzim. Drejtësia ka vepruar mirë deri tani.”
PSG ka vazhduar të mbështesë lojtarin, duke theksuar se mungesat e tij në stërvitje janë për arsye personale dhe se beson në drejtësinë franceze.
Aktualisht, dosja ndodhet në duart e gjyqtarit hetues, i cili pritet të vendosë nëse çështja do të shkojë ose jo në gjyq. Në rast se shpallet fajtor, Hakimi rrezikon deri në 15 vjet burg.