Ballina Rajoni Garë e fortë armatimesh në Ballkan, Serbia dhe Kroacia rivale të ethshme,...

Garë e fortë armatimesh në Ballkan, Serbia dhe Kroacia rivale të ethshme, sfidojnë me parada ushtarake

13
0

Një garë e fortë armatimi po zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, me protagonistë kryesorë Serbinë dhe Kroacinë.

Kjo e fundit shpalosi të gjithë potencialin ushtarak në një paradë madhështore të enjten, me rastin e 30 vjetorit të operacionit stuhia, që përfundoi me dëbimin e forcave pushtuese serbe, shkruan A2 CNN.

Parada nxiti ndjesi pakënaqësie në Beograd, ku gjithashtu po planfiikohet një demostrim madhështor i armatimeve dhe kapaciteve ushtarake më 20 shtator. Për ekspertët e cituar nga Doice Velle ky është veçse kapitulli i fundit i një gare shumëvjeçare armatimi që po zhvillohet mes dy vendeve.

“Nuk ka dyshim se Serbia dhe Kroacia po konkurrojnë për modernizimin e forcave të tyre të armatosura. Kroacia  është në NATO, por ende e sheh Serbinë si sfidën më të madhe të sigurisë. Në një farë mënyre është e habitshme që 30 vjet pas Operacionit Stuhia po krijohet kaq shumë intolerancë. Beogradi dhe Zagrebi kanë gjetur qartë një mënyrë për të vazhduar të gjenerojnë urrejtje dhe intolerance”, tha mes të tjerash analisti ushtarak Aleksandar Radiç.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e lidh pothuajse çdo blerje armësh me Kroacinë dhe armët e saj, ndërsa shpesh e ka shpallur Serbinë si “fuqinë më të fortë ushtarake në rajon”. Edhe pse disa analistë besojnë se parada ushtarake kroate është një mesazh për Beogradin, Aleksandar Radiç beson “se ky rivalitet nuk është motivi për zhvillimin e paradës”.

“Kroacia i kushton shumë rëndësi përkujtimit të Operacionit Stuhia, ndaj edhe pritej që diçka e tillë të organizohej. Por tani kemi një paradë serbe dhe shtrohet pyetja se cili është motivi për organizimin e saj? Pavarësisht se Vuçiçi përpiqet ta paraqesë atë si një shfaqje fuqie ndaj Kroacisë, kjo paradë ka shumë më tepër të bëjë me problemet e tij të brendshme dhe protestat. Data e 20 shtatorit nuk ka asnjë rëndësi për Serbinë, nuk ka asnjë arsye për këtë paradë dhe mund të themi se është organizuar për t’i treguar Serbisë rebele se ‘Unë jam më i fortë se ti’. Ai kështu do të shpallë fitoren ndaj revolucionit me ngjyra”, tha analisti ushtarak Aleksandar Radiç.

Kroacia është mes 18 vendeve të BE që kanë aplikuar për miliarda euro nga programi i bllokut, si kredi të buta, me qëllimin për të ndihmuar Europën të përforcojë sigurinë e vet. Kryeministri Plenkoviç ka thënë se Kroacia mund të kërkojë 1.8 miliardë euro nga ky fond.