Nga Hyqmet Zane
Shkrimi i historisë së Shqipërisë, siç është diskutuar me protagonizmin e Akademisë së Shkencave të krijon një ndjenjë mosbesimi për sinqeritetin e tyre. Por për të ashtuquajturin “Grupi çam” i Teme Sejkos më 1960, nuk flitet, heshtet, duket sikur thonë “mirë ua bëri çamëve Enver Hoxha”. Kanë kaluar 65 vjet nga ajo ngjarje kur u sajua një grup “armiqësor” dhe u arrestuan 65 njerëz, u dhanë 1450 vite burgim, u pushkatuan 11 intelektualë, vdiqën në burgje 10 të tjerë. Ishte një hakmarrje tipike komuniste ndaj elitës intelektuale çame.
Kam pasur fatin të diskutoja me shumë nga trashëgimtarët e atyre që u pushkatuan apo u dënuan dhe njeri prej tyre dëshmitari okular Lutfi Sejko që ishte nga të arrestuarit e fundit të atij grupi në Elbasan që më pas do i bashkëngjitej edhe Dalan Sulo në Cërrik që ishte nga Galbaqi. Kur Lutfiu ishte në burgun e Laçit së bashku me Petrit Hoxhën nga Elbasani, i lauruar shkëlqyeshëm në “Lui Paster” në Francë, vjen i burgosur edhe Halim Xhelo, ish zv/ ministër i Punëve të Brendshme që u dënua nga Enver Hoxha. Halimi i kishte thënë Lutfiut aspekte nga ajo ngjarje. “Ishim të pranishëm së bashku me Kadri Hazbiun, kur u takuan në Sarandë me Enver Hoxhën dhe Nikita Hurshovi me Teme Sejkon. Ankesat e Enverit te Hurshovi për Mehmet Shehun kryeministër që nuk e dëgjonte, ishte kokëfortë dhe arrogant, Sekretari i parë i BS iu përgjigj: “Ti më ankohesh mua për Mehmetin. Po ja ku e ke Teme Sejkon të shkëlqyer që mund të jetë kryeministër”. Në këtë moment, sipas Halim Xhelos u ideua i ashtuquajturi “grupi çam” si xhelozi dhe grup me Mehmet Shehun.
“Çfarë patët me ne o Halim?” – e pyeti Lutfiu dhe ai iu përgjigj: “Gjetëm dhe bëmë”. Këtë rrëfim të Halimit ma ka treguar Lutfiu për ditë të tëra fragment pas fragmenti, deri sa ndërroi jetë më 13 prill 1995. Shumë vite më pas jo vetëm shkrimet e shumë protagonistëve që duhet thënë se edhe kanë mashtruar në jo pak raste ose i kanë tjetërsuar të vërtetat, kam saktësuar shumë të vërteta nga studiuesi i nderuar Kastriot Dervishi ish kryetar i Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Por më shumë nga të tjerët, Hektor Sejko (i ndjeri), djali i Taho Mehemt Sejkos, vëllai i Teme Sehjkos, më ka rrëfyer me përpikëri gjithë tablonë e asaj ngjarjeje që vazhdon të mbetet një tabu për historiografinë dhe që në shumë raste shmanget dhe retushohet.
Pas 10 muajsh arrestimi të atij 28 korriku 1960 në orën 10, hetimi dhe shantazhizmi barbar në dhomat e inkuizicionit komunist, diktatori dha verdiktin e pushkatimit të grupit të ashtuquajtur “grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit”. Ka qenë 30 dhe 31 maji i vitit 1961 që togat e pushkatimit do të zbraznin karikatorët e armëve të tyre mbi bijtë shqiptarë të nënave çame. Ishin Teme Sejko, Tahir Demi, Taho Sejko, Shaban Ademi, Avdul Resuli, Ali Xhelo Arapi, Hajri Mane, që pas atij gjyqi të fund majit 1961 do të pushkatoheshin, ashtu siç nuk vriteshin as edhe kuajt e jo më njerëzit. Shumëkush ka hamendësuar përmes copëzave të bisedave dhe historive të treguara dhe të shkruara se vrasjet e këtyre djemve të Çamërisë kanë qenë të formave të ndryshme dhe në vende e kushte të ndryshme nga më çnjerëzoret dhe makabre. Për Teme Sejkon ka edhe më shumë se kaq, se janë kujtime të njerëzve që kanë qenë edhe dëshmitarë se çfarë mynxyrash nga më të paimagjinueshmet që mund t’i bëhen një njeriu, një shqiptari nga pseudoshqiptarët, një luftëtari antifashist dhe kundër admiralit të vetëm që kishte flota shqiptare që përfundoi aq tragjikisht pa nam e pa nishan.
Nuk ishte as i pari e as i fundit Teme Sejko, se edhe të tjerët bashkëkombës të tij, që mbanin edhe grada e pozicione pune për merita të veçanta, asnjëherë nuk janë rikthyer ato vlerësime nga ana e Presidentëve të Republikës së Shqipërisë, si shenjë e rikthimit tek të vërtetat që ekzistonin dhe që u tjetërsuan padrejtësisht. Është harresë apo e qëllimshme, është një zgjatim në kohë i një pushkatimi dhe dënimi të pamerituar që po bëhen nga segmentet e ish sigurimit të shtetit që bëjnë kujdes për të mos vënë në vend dinjitetin e së drejtës morale dhe ligjore të atyre bijve që ishin shqiptarë dhe që u trajtuan si armiq.
Dhe jo vetëm këta, por edhe më pas u dënuan me pushkatim Beqo Plaku, Ilia Gjyzeli, Jorgji Cukali, Nikolla Goçi, Theodhori Veto, që u cilësuan si bashkëpunëtorë të kryetarëve të grupit dhe që ishin sajesat e mendjes antishqiptare që kërkonte të zhdukte nga faqja e dheut çdo njeri që ishte intelektual dhe që nuk ishte grek e serb.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se veç të pushkatuarve, nëse kanë qenë të tilla, se nuk ka as edhe një procesverbal të mbajtur, janë edhe një grup bijsh shqiptarë nga Çamëria që jo vetëm nuk dolën në gjyq, por u trajtuan në atë farë feje që iu mor jeta në dhomat e hetuesive të komanduara nga vetë Enver Hoxha përmes Kadri Hazbiut, Mihallaq Ziçishtit, Nevzat Hasnedarit dhe një farë Rexhep Kolli etj. Taho Sejko, vëllai i Temes, nuk doli në gjyq, u eleminua në fshehtësi, ashtu si edhe Shaban Adem Kalo, që kërkoi t’i dilte në mbrojte Tahir Demit, kur shkuan për ta arrestuar. Nuk dihet se si përfundoi por jeta e tyre ishte aq e lirë për kriminelët e diktaturës komuniste. Ndërsa i mirënjohur komandant i “Çetës Çamëria”, antifashiste, Haki Rushiti u dënua 3 herë me vdekje në mungesë.
Do të ishte fatale për një pjesë tjetër të këtyre bijove të Çamërisë që u dënuan me dënime maksimale dhe vdiqën në burgjet e Burrelit e Spaçit e gjetkë si Sami Murati, Jonuz Purizo, Rushan Hasan Mullai, Dr Aleksandër Kalivopulli, pasi ishin dënuar me nga 25 vjet, vdiqën në burgje në Burrel e gjetkë.
(Është lista e gjithë grupit që flet më shumë)
Çdo gjë e ndodhur ndaj grupit të ashtuquajtur të “çamëve”, kishte si prolog Hilmi Seitin, që në prill 1960 nuk e pranoi planin ogurzi të sajimit të një grupi armiqësor për t’iu përgjigjur socialimperializmit rus pas prishjes. Pa e zgjatur, Hilmia, siç e thërrisnin me respekt në Shkodër dhe ku mbeti i nderuar gjithnjë, e helmuan. Kështu tregohet dhe kështu ekzistojnë faktet, se ajo që ndodhi më pas vërtetoi gjithçka: mashtrimin me ç’do mjet që justifikonte qëllimin të Teme Sejkos e të tjerë që nuk mund të besonin se mendjet e asaj pjese bastarde shqiptare i kishin bërë llogaritë si kriminelë që ishin shkonin aq larg sa realisht do t’u merrnin jetën, vetëm e vetëm se i ishin futur lojës së sajuar. Këto Halim Xhelo ia tha Lutfi Sejkos një për një në burgun e Laçit.
Ekziston mendimi se të gjitha të ashtuquajturat “grupe armiqësore” që u eliminuan pas atij nëntori famëkeq 1944, do të ishin ekskluzivisht intelektualë që kishin studiuar jashtë shtetit, ish nxënës të shkollës amerikane të Fullcit, apo që nuk pranuan të viheshin në shërbim të planeve serbe që nga Mustafa Gjinishi e më tej që u bënë viktima të tradhtisë komuniste. Ishte kjo klikë antishqiptare që në “emër të popullit” vranë, ekzekutuan, varën apo eliminuan pa gjyq edhe këtë grup të Teme Sejkos e Tahir Demit. Ishte i pari dhe i vetmi gjyq që u bë me altoparlantë dhe publik, si shprehje e urrejtjes krahinore që futi vetë Enver Hoxha në mes shqiptarësh. Këtë fenomen nuk mund ta ndalonin as trupa e avokatëve që ishin thjesht formalë, sa për të thënë përballë një prokurori xhahil, si Aranit Çela, që në atë kohë ishte Prokuror i Përgjithshëm dhe një trupi gjykues që vepronin mbi bazën e urdhrave dhe jo të drejtësisë siç ishin Shuaip Panariti, kryetar i Gjykatës së Lartë, gjen.major Muharrem Kokomani, kol. Sotir Spiro, kol. Bejto Isufi, n/kol. Hilmi Telegrafi dhe sekretar seance Murat Deliallisi. Përballë këtij grupi “armiqësor” të sajuar ishin vetë ata që e kishin sajuar, ishte vetë diktatori dhe sigurimi i shtetit. Ky moment ka qenë bërë publik në debatin mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut kur do të dënohej ky i fundit.
Eliminimi i këtij të ashtuquajturi “Grup armiqësor”, ishte edhe një avokati e shkëlqyer që qeveria e Enver Hoxhës i bënte tezës greke për eliminimin e elitës intelektuale çame që kishte dalë nga lufta antifashiste dhe që ishin përfaqësuesit e atij angazhimi të kësaj krahine në Luftën II Botërore. Ishte kjo tezë që ende edhe sot e kësaj dite qarqet zyrtare greke e thonë dhe rithonë sa herë që vjen fjala tek çështja çame dhe zgjidhja e saj. Është rasti për të thënë se shumë nga ata që u cilësuan armiq ishin në strukturat drejtuese të luftës dhe që së bashku me pjesën tjetër të çamëve të organizuar në Batalionin 4 të Regjimentit 15, përbënin edhe pjesën e rëndësishme të kontributeve të Çamërisë në këtë luftë. Apo lufta 55 ditore e çamëve në betejën e Konispolit që ka edhe rreth 50 dëshmorë. Ndoshta duhet të ishte gjallë im atë, Nuri Zane, së bashku me Hajri Fetahu dhe Osman Zeneli, Mezan Emin Jonuzi dhe Bejaz Muhamet Muho apo Alush Xhemil Sejko e me shumë të tjerë që ishin të internuar në kampet e përqendrimit gjermane dhe italiane si antifashistë që të rrëfenin se sa të pavërteta janë tezat greke. Por më shumë se kaq, se sa tradhtare ishte qeveria e Enver Hoxhës ndaj interesave mbarëkombëtare shqiptare, kur jo vetëm i vrau çamët, por i dërgoi edhe në internimin e Llozhanit në Maliq më 1949, u hoqi shtetësinë greke më 1953 dhe më vonë u hodhi baltë gjithë shqiptarëve të Çamërisë pas pushkatimit të pjesëtarëve të këtij grupi.
Çfarë faji kishin bërë këta bij shqiptarësh që u dënuan dhe u pushkatuan, si pararojë e atij dënimi të madh që i bëri Enver Hoxha gjithë popullatës çame të shpërngulur me gjenocid nga shtëpitë e tyre në Çamëri, pas atij 1960 ? Asnjë faj, sepse faktet si ato që janë zbuluar flasin për lojën tradhtare të Enver Hoxhës ndaj krerëve të këtij grupi. Kjo ishte filozofia e një regjimi kriminal që mbeti në pushtet përmes netëve makbethiane ndaj shqiptarëve. Të shkruash për të vërtetat e atyre ngjarjeve që ndodhën 65 vjet më parë, nuk është çështje e një shkrimi, se shumë e shumë herë janë shkruar dhe dokumentuar pabesitë e bëra dhe barbaritë e zbatuara. Ajo që të vjen keq edhe pas 65 vjetësh është fakti se ende edhe sot nuk është hequr balta që u hodh mbi këtë popullatë të pafajshme, por edhe mbi viktimat e tij. Asnjë falje nuk kanë marrë ata 65 njerëz nga Çamëria dhe pjesa brenda kufirit shtetëror u përfshinë në këtë gjyq në atë fillim të viteve ’60 me të ashtuquajturit “grupe armiqësore” inekzistente dhe të sajuara për hatër të antishqiptarizmit serbo-grek të instaluar në kokën e Byrosë Politike të Enver Hoxhës. Kush duhet tu kërkojë falje, shteti, Presidenti, drejtësia apo kush tjetër për ato rreth 1.450 vjet burgime që u dhanë ndaj këtyre shqiptarëve. Aq më keq kur mendon se sot heshtja ndaj të vërtetave të këtij grupi nga politika dhe drejtësia, por edhe nga media, që është një vazhdimësi e vrasjeve ndaj shqiptarëve të një krahine autoktone shqiptare që për flamur dhe atdhe erdhën për mbrojtje në Shqipëri. Duket sikur vazhdon të bëhet ende luftë klasash dhe të mos përmenden këta që u bënë viktima të një ideje të çmendur nga një njeri dhe një sistem stalinist. Shumë dokumentacione ekzistojnë për këtë ngjarje tragjike, po aq sa edhe çnjerëzore, por ajo ngjarje makbethiane kërkon një film të tërë që do të ishte tronditës për kineastët hollivudianë, tamam si hebrenjtë e Europës.
Të vërtetat që flasin dhe kërkojnë shpagim me faljen që është domosdoshmëri për t’ua bërë në emër të drejtësisë njerëzore, është një drejtësi që ndodh në praktikat botërore të jurisprudencës. Ata u dënuan si bashkëpunëtorë me anglo-amerikanët dhe më qesharakja dhe absurdja prej këtyre akuzave ishte se u akuzuan edhe si bashkëpunëtorë me grekët. (?!) Dhe kush, bijtë e Çamërisë që grekët i vranë dhe i dëbuan mizorisht nga trojet e tyre stërgjyshore. Ata meritojnë nderimin shtetëror nëse vërtet ky shtet ka një president që duhet të bëjë edhe këto lloj nderimesh.
65 vjet më parë, plumbat e diktaturës vranë djemtë dhe Çamërinë. Cili shtet do t’ua heqë baltën “grupit armik të Teme Sejkos dhe Tahir Demit”? 65 të dënuar dhe 1.450 vjet burgim, veç vrasjeve dhe vdekjeve në burgje. Ashtu ndodhi, plumbat e pabesisë së pushtetit komunist ranë pamëshirshëm mbi trupat e djemve shqiptarë nga Çamëria për të vrarë jo vetëm atë grup të cilësuar “armik”, por për të vrarë idealizmin e gjithë popullatës dhe vetë Çamërisë për të kërkuar të drejtën legjitime që të dënohet një gjenocid tipik. Motra e Ali Demit “Hero i Popullit” që sot ndodhet në Boston të SHBA në një moshë 90 vjeçare më ka thënë se më 1962, pasi kishte ndodhur gjëma, nëna e saj i kish thënë “Më mirë që u vra në luftë djali (Ali Demi) se këta do ma kishin turpëruar”.