Ballina Aktualitet KPK e konfirmoi, KPA e shkarkon pas 3 vitesh ish-kryeprokurorin e Sarandës,...

KPK e konfirmoi, KPA e shkarkon pas 3 vitesh ish-kryeprokurorin e Sarandës, Kledian Llaho probleme me pasurinë

27
0

Vettingu largon nga sistemi i drejtësisë edhe një tjetër magjistrat. Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli sot (1 gusht) vendimin e shkarkimit nga detyra të prokurorit të Sarandës, Kledian Llaho, duke ndryshuar vendimin që kishte marrë shkalla e parë e KPK-së tre vite më parë.

Sipas trupës gjykuese të KPA, e kryesuar nga Natasha Mulaj, është çmuar i drejtë pretendimi i Komisionerit Publik dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, se ‘prokurori Llaho nuk rezulton i besueshëm në kriterin e pasurisë’, pasi është në kushtet e deklarimit kontradiktor, të paskatë e të pamjafueshëm, duke i çuar institucionet e rivlerësimit në pamundësi për të verifikuar se cilat deklarime të subjektit pasqyrojnë të vërtetën faktike lidhur me burimin e pasurisë së tij.

Në verifikimin e çështjeve profesionale u konkludua se “subjekti ka dështuar të ndërmarrë hetime logjike, të mbledhë gjithë provat dhe në mënyrë efektive”. Kledian Llaho u konfirmua më 22 dhjetor 2022 nga KPK, që i vlerësoi bindëse shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij në kundërshtim të barrës së provës, për balancën negative në kriterin e pasurisë, si dhe për konstatimet për figurën dhe profesionalizmin.

Ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili e cilësoi vlerësimin e shumicës të pabazuar në aktet e dosjes. Ballhysa kërkoi që çështja t’i nënshtrohej shqyrtimit dhe në përfundim të vendosej shkarkimi i Llahos.

Por Llaho ka qenë një emër jo pak i lakuar së fundmi. Më 31 janar 2024, KLP i dha Llahos një “vërejtje publike”, ndërsa më 10 prill vendosi uljen e pagës së tij me 20% për tre muaj dhe shkarkimin nga detyra e kreut të Prokurorisë. Ndërkohë, prej 14 janarit Llaho është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme, pasi dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive.

Vendimi i KPA-së:

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 11/2023, datë 10.03.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 607, datë 22.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kledian Llaho.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 607, datë 22.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Kledian Llaho.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, më datë 01.08.2025, në Tiranë”.