Ballina Kulturë “Ndëshkim dhe shpërblim”, piktura pa penel fiton çmimin prestigjioz të artit

“Ndëshkim dhe shpërblim”, piktura pa penel fiton çmimin prestigjioz të artit

0
24

Artistja filipino-australiane Loribelle Spirovski ka fituar çmimin Zgjedhja e Publikut në Çmimet Archibald,  ceremoninë më prestigjioze në Australi për portretet.

Vepra e saj është një portret i muzikantit aborigjinas australian William Barton që ajo e pikturoi me gishta për shkak të dëmtimit nervor. Spirovski ka qenë disa herë finaliste dhe tha se ishte “tej mase e lumtur” që publiku kishte zgjedhur veprën e saj.

“Kanë qenë disa vite të vështira dhe e gjithë kjo përvojë është ndëshkimi dhe shpërblimi më i bukur”,  tha ajo në një deklaratë për shtyp në Galerinë e Artit në New South Wales. “I jam pafundësisht mirënjohëse William që më lejoi ta pikturoja dhe shumë e përulur nga reagimi i të gjithëve ndaj veprës.”

Kur piktorja u takua me Barton tetorin e kaluar, ajo po rikuperohej nga një dëmtim nervor që i kishte prekur aftësinë për të pikturuar. Gjatë kohës që punonte me pikturën, ajo dëgjonte veprat e Barton.

“Ndërsa muzika filloi, dora ime e la penelin mënjanë dhe zhyta gishtin në bojën e butë e të lagësht. Pa penel, pikturimi ishte thuajse pa dhimbje. Ndërsa portreti pikturohej vetë, u ndieva e gjallë në një mënyrë që s’më kishte ndodhur prej shumë kohësh.”

E lindur në vitet 1990 në Filipine nga një nënë filipinase dhe baba serb, Spirovski u vendos në Australi më 1999. Ajo u diplomua nga Kolegji i Arteve të Bukura në Sidnei në vitin 2012.

Çmimi i Zgjedhjes së Publikut bazohet te votat e publikut që kanë parë finalistët e ceremonisë. Çmimi Archibald Prize (100 mijë dollarë australianë) iu akordua Julie Fragar e cila është gruaja e 13-të që fiton çmimin e madh në historinë 104-vjeçare të konkursit.