Ballina Bota Një tjetër propozim që Trump të marr çmimin “Nobel”, ja cili shtet...

Një tjetër propozim që Trump të marr çmimin “Nobel”, ja cili shtet bën kërkesën

18
0

Zëvendëskryeministri i Kamboxhias, Sun Chandol, konfirmoi se vendi i tij do të nominojë Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për Çmimin Nobel për Paqen. Arsyeja kryesore, sipas Chandol, është ndërhyrja vendimtare e Trump-it në përfundimin e një konflikti kufitar mes Kamboxhias dhe Tajlandës.

“Po, e konfirmojmë. E nominojmë Presidentin Trump për përpjekjet e tij për paqe,” u shpreh Chandol për gazetarët, duke theksuar rolin që pati një telefonatë e Trump javën e kaluar në arritjen e një armëpushimi të negociuar në Malajzi më 28 korrik.

Luftimet pesëditore mes dy vendeve shkaktuan të paktën 43 viktima dhe zhvendosjen e rreth 300,000 personave përgjatë kufirit. Chandol falënderoi ish-presidentin amerikan për “sjelljen e paqes” dhe tha se vendi i tij e konsideron atë të denjë për një nominim të tillë prestigjioz.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Leavitt, reagoi në platformën X menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, duke shkruar: “Jepini atij Çmimin Nobel për Paqen”.

Nuk është hera e parë që Trump përmendet për këtë çmim. Në qershor, Pakistani njoftoi se do ta nominonte për përpjekjet në zgjidhjen e tensioneve me Indinë, ndërsa në korrik, edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se kishte bërë një nominim të ngjashëm.

Përveç çështjes së sigurisë, Chandol theksoi edhe ndikimin e Trump në aspektin ekonomik, duke përmendur një marrëveshje për uljen e tarifave amerikane ndaj produkteve kamboxhiane. “Nëse do të kishin hyrë në fuqi tarifat 49%, industria jonë e veshjeve dhe këpucëve do të ishte shkatërruar,” tha Chandol, duke shtuar se falë ndërhyrjes së Trump, tarifa u reduktua në 19%.

Kamboxhia tani i bashkohet një liste gjithnjë e më të gjatë shtetesh që e shohin ish-presidentin amerikan si një figurë kyçe në përpjekjet globale për paqe.