Nga Jens Jensen, DW
Pas padisë së dy azilkërkuesve nga Bangladeshi Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi, që për të qenë të ligjshme listat për vendet e sigurta, duhet të përmbushen disa kushte. Vendimi prek dhe marrëveshjen Meloni-Rama. Sipas GJED-së që listat për vendet e sigurta të jenë të ligjshme, duhet të përmbushen disa kushte.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka përforcuar kriteret dhe pengesat për përcaktimin si vende të sigurta origjine në procedurat e përshpejtuara të azilit. Anëtarët e BE-së mund të hartojnë lista me vende të tilla vetëm nëse paraqesin edhe burimet për vlerësimin e tyre; gjykatat duhet të jenë në gjendje të shqyrtojnë se mbi cilat informacione bazohet vendimi për shpalljen e një vendi si vend i sigurt. Po ashtu gjyqtarët në Luksemburg vendosën që derisa të hyjnë në fuqi rregullat e reja të azilit të Bashkimit Evropian, vendimi për të shpallur një vend si të sigurt duhet të marrë në konsideratë të gjithë popullsinë e një vendi të caktuar.
Vendimi i Luksemburgut u prit me kritika të ashpra në Itali.Fotografi: Harald Tittel/dpa/picture alliance
Gjykimi kishte të bënte me “Modelin e Shqipërisë” që përdor Italia në kuadrin e procedurave të shpejta për proceset për azilin jashtë vendit. Përcaktimi i vendeve të sigurta të origjinës është parakusht për zbatimin e këtij modeli. Qeveria e Romës synon të dërgojë refugjatë dhe migrantë, meshkuj në moshë madhore, nga këto vende në qendrat e strehimit në territorin e Shqipërisë, ku ata duhet të qëndrojnë ndërsa përpunohen kërkesat e tyre për azil.
Paditësit nga Bangladeshi
Në tetor 2024 u klasifikuan si të sigurta disa vende, përfshirë edhe Bangladeshin – vendi nga i cili vijnë dy paditësit. Ata ishin kapur në Detin Mesdhe dhe ishin dërguar në Shqipëri. Kërkesat e tyre për azil në Itali u refuzuan. Gjykata kompetente italiane i kërkoi Gjykatës Evropiane të Drejtësisë(GJED) të sqaronte se cilat janë detyrimet e vendeve anëtare të BE-së lidhur me përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës.
Sipas një raporti të organizatës për të drejtat e njeriut ActionAid dhe Universitetit të Barit qendra për refugjatët në Shëngjin ka funksionuar efektivisht vetëm për pesë ditë në vitin 2024 dhe me kosto shumë të larta.Fotografi: Alketa Misja/dpa/picture alliance
Vitin e kaluar Gjykata vendosi në një rast tjetër që, deri në njoftim të mëtejshëm, një shtet mund të klasifikohet si i sigurt vetëm nëse ky konstatim vlen për të gjithë territorit të tij. Megjithatë një rregullore e re e BE-së përcakton që në të ardhmen shtetet mund të klasifikohen si të sigurta edhe nëse ky vlerësim nuk vlen për rajone ose grupe të caktuara njerëzish, siç janë homoseksualët. Ndryshimi është pjesë e reformës së madhe të ligjit të azilit të BE-së, e cila është planifikuar të hyjë në fuqi në qershor 2026.
Reklamë
Meloni: “Një hap që duhet t’i shqetësojë të gjithë”
Vendimi i Luksemburgut u prit me kritika të ashpra në Itali. Kryeministrja Giorgia Meloni tha se vendimi ishte surprizues dhe e kufizoi më tej hapësirën tashmë të kufizuar të qeverive për të vepruar. “Ky është një hap që duhet t’i shqetësojë të gjithë”, tha kryetarja e partisë së djathtë Fratelli d’Italia.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e surprizuar nga vendimi e kritikoi atë duke thënë se ky vendim e kufizon më tej hapësirën tashmë të kufizuar të qeverive për të vepruar.Fotografi: Roberto Monaldo/LaPresse/ZUMA/picture alliance
Qeveria italiane ka nënshkruar një marrëveshje me Shqipërinë për të ngritur dy kampe në territorin e saj. Megjithatë projekti aktualisht është pezulluar për shkak të rezistencës së gjyqësorit italian. Sipas një raporti të organizatës për të drejtat e njeriut ActionAid dhe Universitetit të Barit qendrat kanë funksionuar efektivisht vetëm për pesë ditë në vitin 2024 dhe me kosto shumë të larta.
Po Gjermania?
Edhe Gjermania ka shpallur një numër vendesh si të sigurta. Përveç shteteve anëtare të BE-së ato përfshijnë shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Gjeorgjinë, Ganën, Moldavinë dhe Senegalin. Koalicioni CDU/CSU-SPD planifikon ta zgjerojë listën me anë të rregullimit ligjor, pra pa përfshirjen e Bundestagut dhe Këshillit të Federatës, Bundesratit. Megjithatë një vendim përfundimtar nuk është marrë ende.