Ballina Aktualitet Pse Shqipëria digjet çdo verë?

Pse Shqipëria digjet çdo verë?

0
18

Ndërsa vendet e tjera parashikojnë dhe parandalojnë zjarret që në dimër, Shqipëria reagon vetëm kur flakët kanë nisur. Ky është çmimi i një mungese të vazhdueshme planifikimi që përsëritet çdo verë me pasoja gjithnjë e më të rënda.

Zjarret që përfshinë Shqipërinë këtë verë nuk ishin as të papritura, as të pashmangshme. Përmasat e tyre dramatike janë tregues i një modeli që përsëritet çdo vit, por që vazhdon të mos merret seriozisht. Për të kuptuar më mirë nëse kjo është një anomali shqiptare apo pjesë e një tendence më të gjerë, mjaftontë shikojmë përtej kufijve tanë.

Në rajonin mesdhetar, përfshirë Greqinë, Spanjën, Portugalinë, por edhe më larg – në Kanada apo Australi – zjarret janë tashmënjë pjesë e pritshme e cikleve klimatike. Por ndryshe ngaShqipëria, këto shtete nuk presin muajt e verës për të reaguar. Sepse, siç ka treguar studimi i publikuar në vitin 2023 nga Instituti Ndërkombëtar për Zjarrin dhe Ekosistemet (IAWF) përrastin e Greqisë, rreziku i zjarrit nuk lind në korrik apo gusht, por shumë më herët – në dimër.

Një dimër me reshje të shumta nuk përbën një siguri, por përkundrazi, një paralajmërim. Lagështia e dimrit ushqen rritjen e vrullshme të bimësisë në pranverë – shkurre, barishte, ferrishte– të cilat në muajt e nxehtë kthehen në karburant të thatë, të gatshëm për t’u ndezur. Ky është një cikël tashmë i dokumentuar shkencërisht dhe i konfirmuar nga përvoja ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Greqia ka nisur të veprojë në mënyrë pro aktive. Që në muajt e pranverës, autoritetet atje krijuan hartat e riskut, kufizuan qasjen në zonat e rrezikuara, dislokuan njësi të përkohshme zjarrfikëse, nisën të monitorojnë situatën me dronë dhe instalojnë sisteme paralajmëruese për bimësi të tejtharë. Gjithashtu, zbatuan masa parandaluese si pastrimi i nënpyjeve, prerjet strategjike dhe djegiet e kontrolluara. Pra, Greqia punoi në kohë.

Në Shqipëri, përkundrazi, nuk ekziston asnjë studim institucional që lidh reshjet e dimrit me probabilitetin e zjarreve verore. Nuk ka një sistem që kombinon të dhëna për reshjet, temperaturën dhe lagështinë për të ndërtuar harta risku apo për të orientuar ndërhyrjet. Strategjia e vetme mbetet reagimi emergjent, shpesh i vonuar dhe i pajisur minimalisht. Zjarrfikësit tanë përballen me flakët me mjete të pamjaftueshme, ndërsa deklaratat zyrtare kufizohen në formula të njohura si “forcat janë në terren”.

Bilanci është i rëndë: mbi 26 mijë hektarë tokë të djegura dhembi 161 milionë euro dëme ekonomike. Rastet në Kaninë, Dukat, Delvinë, Lurë e Mat nuk janë shembuj të fatkeqësive të papritura, por të një paaftësie sistematike për të ndërtuar parashikim dhe për të marrë masa në kohë.

Ndërkohë që vendet tjera investojnë në njohjen dheparandalimin e fillimit të zjarreve, ne vazhdojmë të përballemi me pasojat. Sepse zjarri nuk nis në ditën që shfaqet tymi; ai fillon muaj më parë, kur krijohen kushtet që ne nuk i lexojmë – ose zgjedhim të mos i lexojmë.

Kjo situatë nuk është më çështje kapacitetesh teknike apomungesë buxheti. Është mungesë vullneti dhe vizioni institucional. Është refuzim për të ndërtuar një kulturë të menaxhimit proaktiv të riskut. Dhe çdo vit që kjo kulturë e mosveprimit vazhdon, pasojat do të jenë më të mëdha – ekonomike, mjedisore dhe institucionale.

Ndryshimet klimatike po e bëjnë Mesdheun gjithnjë e më të rrezikuar: dimrat janë më të lagësht, verat më të gjata dhe më të thata. Nëse kjo prirje vazhdon, zjarret do të jenë më të shpeshta, më të mëdha dhe më të pakontrollueshme. Në këto kushte, pyetja që shtrohet nuk është më: “A do të ketë sërish zjarre?”, por “a do të vazhdojmë të përballemi me flakët me kova uji, ndërkohë që bota i parashikon me satelitë?”