Për të mos u përsëritur gabimet e së shkuarës por edhe për të rritur besimin e autoriteteve të Bashkimit Evropian, qeveria kërkon të bëjë për herë të parë pjesë të Kodit Penal, dispozita të veçanta që ndëshkojnë abuzimet me fondet e BE-së.
Në nenin 610 të Kodit të ri Penal të hedhur për konsultim parashikohen një sërë veprash penale do të dënohen deri me 12 vite burg.
Veprat penale të parashikuar në këtë nen kanë të bëjnë me paraqitjen e dokumenteve të rreme me synim shpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian ose keqpërdorimi i këtyre parave për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat ato janë dhënë fillimisht.
“Nëse evazioni serioz kryhet ne çdonjërën nga format e parashikuara në këtë dispozite duke përdorur një shtet tjetër për të fshehur tatimin, qe sjell si efekt cenimin e financave te BE, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”, thuhet në nenin 610.
Për çdo vepër penale do të shtohet dënimi me një të tretën në rastet kur bëhen kundër financave të Bashkimit Evropian, krahasuar me të njëjtën tipologji krimi brenda vendit. Pra dënimi më i ulët për abuzuesit me fondet e BE-së do të jetë 4 vjet dhe më i larti 12 vjet.
Ashpërsimi i ndëshkimeve për këto vepra penale, ishte i pritshëm pasi Shqipërisë i janë bllokuar nga Komisioni Evropian fondet për bujqësinë për shkak të abuzimeve me IPARD II, si dhe ka pasur probleme edhe me fondet IPA. Me fondet e IPARD, u konstatua nga OLAF se ishin bërë shpenzime të papërshtatshme dhe nuk ishin respektuar kushtet e kontratës, ndërsa me ato të IPA-s ka pasur shpenzime të papranueshme dhe konflikte interesi.