Ballina Ekonomia Shpronësimet për portin e ri të Durrësit kushtojnë 8.2 milionë euro

Shpronësimet për portin e ri të Durrësit kushtojnë 8.2 milionë euro

50
0

Qeveria do të paguajë 815 milionë lekë ose 8.2 milionë euro për të shpronësuar pronarët privatë, të cilëve u merret toka për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit, fondin e shpronësimit dhe procedurat përkatëse.

“Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 815.7 milionë lekësh përballohet nga Autoriteti Portual Durrës,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Pronarët e pasurive të paluajtshme kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Portual Durrës.

Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit, si dhe në rast se prona është në proces gjyqësor, masa e shpërblimit ose e kompensimit do t’i vendoset në dispozicion personit që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës urdhërohet të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Autoritetit Portual Durrës për pasuritë e shpronësuara./ kapital