Ballina Europë Arrestohet në Itali shqiptari/ Mbajti peng ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët, i dhunoi...

Arrestohet në Itali shqiptari/ Mbajti peng ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët, i dhunoi dhe u mori pasaportat

17
0

Një 53-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga karabinierët gjatë natës së kaluar në Gubbio, nën akuzën se ka mbajtur të izoluar në shtëpi, duke ushtruar edhe dhunë fizike, ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre të mitur, përkatësisht 7 dhe 11 vjeç. Arrestimi është bërë në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Prokuroria e Perugias.

Burri, me banim në Gubbio, u ndalua në flagrancë dhe dyshohet se ka rrëmbyer ish-gruan e tij 42-vjeçare, rezidente në Shqipëri, dhe dy fëmijët e tyre, të cilët jetojnë me të ëmën.

Operacioni u zhvillua me shpejtësi falë shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, i mundësuar përmes rrjeteve konsullore shqiptare, pasi në Shqipëri ishin marrë informacione se një shtetas shqiptar po mbante me forcë ish-bashkëshorten dhe fëmijët në Itali.

Bazuar në këto të dhëna, pasditen e djeshme, Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor pranë Departamentit të Sigurisë Publike në Romë njoftoi karabinierët e Gubbios, duke aktivizuar menjëherë një plan kërkimi të gjerë: patrullime, kontrolle të ndërsjella dhe hetime teknike për lokalizimin e saktë të personave të përfshirë.

Brenda rreth një ore, karabinierët arritën ta ndalonin burrin ndërsa drejtonte një makinë, me ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët në sediljet e pasme – të tre në gjendje të dukshme shqetësimi, sipas raportimit të policisë. Gruaja dhe një nga fëmijët kërkuan menjëherë ndihmë.

Karabinierët konstatuan se burri u kishte marrë pasaportat dhe telefonin celular, duke u pamundësuar çdo mundësi për t’u larguar apo për të kërkuar ndihmë.

Hetimet pasuese zbuluan se burri e kishte mashtruar ish-bashkëshorten për ta bindur të vinte në Itali me fëmijët e mitur. Ata kishin mbërritur më 30 korrik me avion, por më pas burri i kishte ndaluar me forcë, duke përdorur kërcënime dhe dhunë fizike. Ndaj tij rëndon gjithashtu edhe akuza për mbajtje të paligjshme të një thike.

Në përfundim të ndërhyrjes, karabinierët gjetën një strukturë të mbrojtur ku gruaja dhe dy fëmijët gjetën strehim, ndërsa 53-vjeçari u dërgua në burgun e Perugias, sipas urdhrit të prokurorit të çështjes.