Vjeshta pritet të zgjidhë shumë dilema në partinë më të madhe të opozitës.
Me hir apo pahir Sali Berishës i duhet të përballet me kërkesën e demokratëve, të cilët kërkojnë riformatim të Partisë Demokratike.
Zërave që kërkojnë ndryshim të strukturës, lidershipit dhe organizimit të partisë i bashkohet edhe Dhurata Çupi.
“Partia Demokratike është në situatën më të vështirë në 34 vite të ekzistencës së saj. Sot është domosdoshmëri riformatimi i PD, sot kemi parti të përçarë, të lodhur, të mbyllur dhe duhet të bëjmë Parti Demokratike të hapur, përgjegjëse për nesër dhe alternativë qeverisëse për të nesërmen dhe të ketë në struktura dhe lidershipin e saj njerëz me vizion, të pakompromentuar dhe të kenë legjitimitetin e duhur”, deklaroi në një intervistë për Top Channel Dhurata Çupi.
Në situatën ku ndodhet partia, ish-ligjvënësja demokrate nuk është e mendimit që doktori të largohet. Për të, riformatimi duhet të ndodhë nën përkujdesjen e tij.
“Jam e bindur se formatimi i PD do duhet të bëhet në drejtimin e Sali Berishës. Nëse nuk është në drejtimin e tij sot në këtë moment ku jemi, ka gjasa që PD të shpërbehet keqas dhe të mos e marrë më njeri përsipër bashkimin”, shton Çupi.
Me mbylljen e kësaj etape, demokratët duhet të ndajnë mendjen nëse duan të ecin me liderin e vjetër apo me një kryetar të ri.
“Ne duhet të jemi të qartë, PD kërkon një drejtim pa e personalizuar, ku të shikohet vizioni dhe legjitimiteti dhe të shikohet mungesa e kompromentimit me pushtetin. Ky duhet të jetë një individ që të drejtojë PD. Por nëse kërkojmë lider, sot e kemi gabim. Lider i PD është dhe mbetet Sali Berisha. Sepse të bëhesh lider duhet të kesh fituar disa sfida të mëdha politike, nuk bëhesh lider se ke fituar kryesimin e PD, do shumë punë. Ne sot po flasim për kryetarin e Partisë Demokratike, që të bashkojë demokratët, të ketë vizion për të ardhmen, të mos merret me të kaluarën, të hapë Partinë Demokratike”, thotë ajo.
Një lëvizje e re që synon ndryshim rrënjësor në PD po lind, Dhurata Çupi nuk ka kompleks të rreshtohet krah çdo grupimi që ka mendim ndryshe: “Është dëshpëruese të mendosh që Partia Demokratike që erdhi dhe u formua me idealet e fjalës së lirë, ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa dhe demokratike, pas një periudhe postkomuniste, sot është parti që nuk respekton mendimin ndryshe në parti. Unë kam eksperiencë 34 vite në PD nga themelimi i saj gjer më sot. Do bëj çmos dhe do mbështes çdo grupim që ka vizion, legjitimitet dhe ka kartën morale për të qenë në strukturat drejtuese të PD, shprehet për Top Channel ish-nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve”.
Në apelin e Kuvendit të ri, Dhurata Çupi do të mungojë për shkak se Sali Berisha nuk i dha një biletë të sigurt duke e hedhur në listën e hapur. Sugjerimi për kolegët është të nxjerrin mësim nga e shkuara dhe të bëjnë opozitë brenda Parlamentit dhe të heqin dorë nga rruga radikale.