Ballina Lifestyle Elia Zaharia nis pushimet si beqare, larg luksit e ekstravagancës!

Elia Zaharia nis pushimet si beqare, larg luksit e ekstravagancës!

26
0

Vetëm pak ditë më parë, shkruam për pushimet e Princ Lekës me partneren e tij të re dhe vajzën e tij, Geraldina. Çifti zgjodhi Ksamilin për të shijuar disa ditë relaksi së bashku, duke na konfirmuar kështu edhe raportin e mirë që Blerta, e dashura e re ka me vajzën e tij.

E tashmë, është radha e Elias që të bëjë pushime, pasi Geraldina e vogël është kthyer nga udhëtimi me babain. Në rrjetet sociale, Elia ka preferuar që të tregojë shumë pak nga ditët e saj të relaksit. Por ajo që vëmë re është që destinacioni nuk ka qenë këtë vit as jashtë shtetit dhe as jugu i vendit.

Në Instagramin e aktores shihet se destinacioni është diku në zonën e Durrësit dhe veç vajzës së saj, bashkë me to është edhe një mikeshë e saj. Në postimet e bëra, Elia është treguar e rezervuar, duke preferuar që mos të publikojë foto me bikini, por vetëm e veshur. Qëkur mes çiftit filloi kriza, Elia dhe Princi nuk i bënë më pushimet së bashku, që para se të divorcoheshin.

Por duket se ndryshimi i statusit të saj civil, ka sjellë edhe një ndryshim edhe në pushimet e saj. Nëse më përpara shfaqej në destinacione disi më të zgjedhura dhe elitare, këtë herë, Elia ka preferuar pushime të qeta, në një destinacion të afërt me Tiranën dhe me mikeshën e saj. Mesa duket qetësia ka qenë një preferencë për të këtë verë, ndryshe nga aventurat e mëparshme. Pas një periudhe të ngarkuar në jetën private, pas përfundimit të gjyqit me ish-bashkëshortin, Elia Zaharia ka nisur kështu pushimet për këtë verë.

Aktorja e njohur foli pak kohë më parë për jetën e saj të re, karrierën dhe angazhimet e saj, pas divorcit me Princ Lekën. Elia tha se periudha e divorcit ishte një periudhë komplekse për të. Duke mos dashur të japë detaje lidhur me situatën, Elia tha se ndihet shumë me fat për mbështetjen e pakushtëzuar që ka marrë dhe merr nga familja e saj në çdo hap të jetës. Nga rrëfimi i saj ajo duket se ka marrë veten nga periudha e vështirë e divorcit dhe se tashmë prioritet për të është lumturia e vajzës së saj, Geraldinës.

“Ka qenë një periudhë komplekse, por unë falënderoj Zotin çdo ditë për atë mbështetje që më ka dhënë familja ime, rrethi im. Unë jam me shumë fat, sepse prindërit e mi, familja ime, nuk janë vetëm familja ime, por janë edhe miqtë e mi më të mirë, me të cilët unë mund të ndaj çdo gjë gjërat e mira, gjërat e gëzuara. Them: O Zot, duhet që t’i falënderojmë dhe t’i duam prindërit për aq kohë sa janë. Tashmë ajo që ka rëndësi dhe që për mua është prioritet, është mirëqenia e vajzës sime. Unë dua që ajo të ndjehet ngrohtë shpirtërisht dhe të marrë dashuri nga të dyja krahët. Për mua kjo është e vetmja gjë që vlen”, tha Elia Zaharia.

Kujtojmë se pas ndarjes konfliktuale nga Princ Leka, një tjetër episod që shkaktoi shumë zhurmë ishte edhe përplasja fizike, që ajo dhe babai i saj patën me Princ Lekën. Elia Zaharia dhe Princ Leka, të cilët janë pajisur me urdhër mbrojtje ndaj njëri-tjetrit, konfirmuan më 15 janar 2024 se kishin nisur procedurat e divorcit, pas disa muajsh thashetheme se i kishin dhënë fund martesës.

Ndërkohë më 5 mars të vitit të kaluar, çifti u përplasën fizikisht me njëritjetrin brenda rezidencës mbretërore, sherr ku u përfshi edhe babai i Elia Zaharisë, Gjergj Zaharia, pamje që u bënë edhe virale në media. Princ Leka hodhi në gjyq ishbashkëshorten, me të cilën ka një vajzë, Geraldina dhe ish-vjehrrin.