Rënia e numrit të studentëve ka detyruar Universitetin e Tiranës të reduktojë kuotat e pranimit për vitin e ri akademik.
Për vitin 2025–2026, ky universitet do të pranojë vetëm 4,400 studentë të rinj, nga 4,546 që ishin një vit më parë.
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë shënon uljen më të ndjeshme të kuotave, me një reduktim prej 13%.
Edhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka ulur kuotat me 11%, ndërsa Shkencat Sociale do të pranojnë 530 studentë në programet Bachelor.
Në total, në 6 vitet e fundit, pranimet në Universitetin e Tiranës janë tkurrur me mbi 18%. Në vitin 2020, numri i studentëve të rinj ishte mbi 5,500, ndërsa këtë vit shifra ka zbritur në 4,400.
Nga ana tjetër, tre fakultete nuk kanë ndryshuar kuotat e pranimit.
Fakulteti i Ekonomisë do të pranojë sërish 1,200 studentë, Shkencat e Natyrës rreth 900 dhe Drejtësia do të mbajë nivelin e zakonshëm prej 670 studentësh.
Ulja e kuotave lidhet drejtpërdrejt me interesin gjithnjë e më të ulët të të rinjve për të ndjekur studimet në arsimin e lartë, si dhe me rënien demografike të popullsisë në moshë shkollore.