Ministrat do të ndalojnë reklamat në mediat sociale që promovojnë udhëtime me anijë të vogla përmes Kanalit për azilkërkuesit.
Qeveria do të krijojë një vepër penale në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që mund të çojë në dënimin e autorëve deri në pesë vjet burg dhe një gjobë të majme.
Edhe pse lehtësimi i imigracionit të paligjshëm është tashmë një krim, ndryshimi do ta bëjë një vepër penale specifike krijimin e materialeve për publikim online, që promovojnë ose ofrojnë shërbime që do të çonin në shkelje të ligjit të imigracionit në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministrat do ta bëjnë ndryshimin nëpërmjet një amendamenti në projektligjin për sigurinë kufitare, i cili po kalon fazat e tij të fundit në Dhomën e Lordëve.
Tetëdhjetë përqind e migrantëve që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla u thanë zyrtarëve qeveritarë se kishin përdorur mediat sociale gjatë udhëtimit të tyre, duke përfshirë edhe gjetjen ose komunikimin me kontrabandistët e njerëzve, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme.
Departamenti tha se donte të godiste kontrabandistët që u shesin një narrativë të rreme për jetën në Mbretërinë e Bashkuar azilkërkuesve të dëshpëruar, duke kriminalizuar ata që premtojnë punë të paligjshme në internet.
Yvette Cooper, sekretarja e brendshme, tha: “Shitja e premtimit të rremë për një udhëtim të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar dhe një jetë në këtë vend – qoftë online apo offline – thjesht për të fituar para, është thjesht imorale.”
“Këta kriminelë nuk kanë problem t’i çojnë emigrantët në situata kërcënuese për jetën, duke përdorur taktika të paturpshme në mediat sociale. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndaluar ata – kudo që veprojnë.”
Ndryshimi do ta bëjë gjithashtu krim postimin në internet të përmbajtjes që inkurajon dikë të shkelë ligjin e imigracionit në Mbretërinë e Bashkuar në këmbim të parave.
Rob Jones, drejtori i përgjithshëm për operacionet në Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), tha: “Ne e dimë që shumë nga rrjetet e kontrabandës së njerëzve që rrezikojnë jetën e tyre duke transportuar njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, promovojnë shërbimet e tyre për migrantët duke përdorur mediat sociale. Shumica e migrantëve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar do të jenë angazhuar me kontrabandistët në këtë mënyrë.”
NCA ka ndërmarrë veprime kundër grupeve të krimit të organizuar që përdorin mediat sociale për të promovuar kalimet kufitare, përfshirë një bandë me seli në Uellsin Jugor të dënuar në nëntor 2024 pasi kontrabandoi mijëra njerëz në të gjithë Evropën.
Banda përdori video në mediat sociale të postuara nga njerëz, që kishin kaluar me sukses kufirin për të promovuar shërbimin.
Një rrjet tjetër i operuar nga kontrabandisti me bazë në Preston, Amanj Hasan Zada, i cili më vonë u burgos me 17 vjet, postoi gjithashtu video të njerëzve që e falënderonin Zadën për ndihmën që i kishte dhënë.
Ka pasur raste të kontrabandistëve shqiptarë të njerëzve që kanë përdorur mediat sociale për të promovuar “paketa” me vlerë 12,000 £ për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë akomodimin dhe punësimin, të cilat gjithashtu do të bien nën fushëveprimin e ligjit të ri./ The Guardian.