Ballina Ekonomia ​Rriten të ardhurat doganore në Shqipëri, shtohen importet e mallrave të akcizës

​Rriten të ardhurat doganore në Shqipëri, shtohen importet e mallrave të akcizës

14
0

Administrata Doganore e Shqipërisë mblodhi 23.2 miliardë lekë të ardhura në buxhet gjatë korrikut ose 9.1 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, rritja është nxitur veçanërisht nga volumi më i lartë i importeve të mallrave të akcizës, ku vërehet rritje e volumit të zhdoganuar të karburantit, cigareve, kafesë dhe birrës, raporton ATSH.

Gjatë korrikut 2025 janë importuar 5200 tonë më shumë karburant, 58 tonë më shumë cigare, 60 tonë më shumë kafe dhe 200 tonë më shumë birrë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Në harkun kohor janar–korrik të këtij viti, të ardhurat e mbledhura nga doganat kanë arritur në 137 miliardë lekë, duke tejkaluar parashikimet dhe duke shënuar një rritje prej 4.3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithëse kursi i këmbimit i euros dhe dollarit ka ndikuar negativisht duke shkaktuar një efekt ulës prej 5 miliardë lekësh, Administrata vlerëson se, në kushte të pandryshuara të kursit, të ardhurat do të kishin arritur vlerën e 142 miliardë lekëve.

Kjo do të përfaqësonte një realizim rreth 4% mbi planin dhe një rritje prej 8,2% në krahasim me vitin 2024.

Fokusi i Administratës gjatë këtyre shtatë muajve ka qenë pikërisht mbi mallrat e akcizës, të cilat kanë treguar një rritje të ndjeshme në krahasim me një vit më parë. Importet e karburantit janë shtuar me 50.000 tonë, cigaret me 154 tonë, kafja me 162 tonë dhe birra me 4700 tonë.

Këto rezultate dëshmojnë jo vetëm rritjen e konsumit dhe aktivitetit ekonomik, por edhe efektivitetin e masave të ndërmarra për përmirësimin e shërbimeve doganore, forcimin e kontrolleve dhe rritjen e transparencës e besimit të bizneseve ndaj institucionit.