Ballina Politika Zjarret në Delvinë, deputetja Ina Zhupa: U shkaktoi dëme të jashtëzakonshme banorëve!

Zjarret në Delvinë, deputetja Ina Zhupa: U shkaktoi dëme të jashtëzakonshme banorëve!

0
31

Deputetja Ina Zhupa ka vizituar njësinë administrative Vergo në Delvinë që u përfshi nga flakët. Ajo është shprehur se dëmet që zjarri u shkaktoi banorëve janë të jashtëzakonshme, duke kërkuar që të dëmshpërblehen në mënyrë të plotë.

“Sigurisht që është një situatë për të ardhur keq, shumë katastrofale. Banorët janë të gjithë të prekur dhe janë pa shpresë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, thekson deputetja.

Ajo kërkoi të ngrihet një grup i përbashkët pune me përfaqësues të pushtetit lokal dhe pushtetit qëndror, për të bërë evidentimin e plotë të dëmeve.

“Duhet t’u qëndrojmë banorëve në krah, në mënyrë të tillë që të kemi shpresë për këto fshatra, që edhe ata të zgjedhin të qëndrojnë në vazhdimësi në Shqipëri”, thekson Zhupa.

Deklarata e Ina Zhupës:

Ndodhemi në njësinë administrative Vergo, pasi kemi takuar banorët e fshatrave të kësaj njësie administrative që, fatkeqësisht, u përfshinë nga flakët e zjarrit, të cilat kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në pasurinë e banorëve të kësaj zone – në agrume, në ullinj, në blegtori.

Sigurisht që është një situatë për të ardhur keq, shumë katastrofale. Banorët janë të gjithë të prekur dhe janë pa shpresë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Ne jemi këtu jo vetëm për t’u dhënë mbështetje atyre, por për të bërë thirrje nga kjo zonë për qeverinë dhe bashkinë, që të ndjekin atë që kërkon ligji.

Të ngrihet menjëherë një grup i përbashkët pune me përfaqësues të pushtetit lokal dhe pushtetit qëndror, që të kalojë shtëpi më shtëpi dhe të bëjë evidentimin e plotë të dëmeve që ka shkaktuar kjo fatkeqësi e madhe që u ka ndodhur banorëve.

Është i rëndësishëm evidentimi, ashtu siç është i rëndësishëm dëmshpërblimi i plotë monetar i banorëve, në mënyrë të tillë që të kenë mundësi të rikuperojnë dhe të vazhdojnë jetesën e tyre në këto fshatra të bekuara nga Zoti, por mesa duket të pamundura për të jetuar në këto kushte që u janë shkaktuar tashmë nga zjarri.

Dëmet duhet të dëmshpërblehen në mënyrë të shpejtë, efektive dhe në mënyrë të plotë.

Nuk duhet të shohim të njëjtin menaxhim siç ndodhi me zjarret edhe në situatën pas zjarreve.

Duhet t’u qëndrojmë banorëve në krah, në mënyrë të tillë që të kemi shpresë për këto fshatra, që edhe ata të zgjedhin të qëndrojnë në vazhdimësi në Shqipëri.